E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova e orientuar drejt BE dhe NATO

Sejdiu dhe Thaçi, pjesë e manifestimit Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në kuadër të manifestimit tradicional Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë theksuar se Republika e Kosovës do të jetë e integruar në Bashkimin Evropian dhe e anëtarësuar në NATO. Ky manifestim është organizuar në përvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari,

dhe sakrificës së familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Në fjalën e tij, presidenti Sejdiu tha se Kosova ka hyrë tashmë në vitin e tretë të pavarësisë së saj dhe se gjatë kësaj kohe, ajo është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e fqinjësisë së parë dhe ajo dëshiron që marrëdhënie të mira të ketë edhe me Serbinë. Marrëdhënie të tilla, ne dëshirojmë të kemi edhe me Republikën e Serbisë, e cila, për fat të keq, ende nuk po mund të lirohet nga logjika e vjetër e hegjemonisë ndaj të tjerëve, si ambicie të saj. Sido që të jetë, dora jonë për miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë në mes dy shteteve sovrane, për të mirën e popujve tanë, mbetet e zgjatur, theksoi presidenti Sejdiu. Ndër  të tjera ai ka shtuar se Kosova është vend evropian, andaj logjikshëm synon që sa më parë të jetë edhe de jure pjesë e institucioneve të Evropës, siç janë: Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm. Sipas tij, Kosova në NATO nënkupton sigurimin e paqes së qëndrueshme, jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë këtë pjesë të Evropës Juglindore. Presidenti i Kosovës, me këtë rast ka vlerësuar sakrificën e familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari. Ai tha se fal kësaj sakrifice dhe asaj të dëshmorëve të tjerë, populli i Kosovës po e përjeton tre vjetorin e pavarësisë në një shtet demokratik që i paraprinë stabilitetit dhe paqes në rajon. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se të rënët për lirinë e Kosovës e donin vendin në gjirin e familjes evropiane dhe të botës demokratike. Ai u zotua se institucionet e këtij vendi do ta ndjekin rrugën që e shpie Kosovën në realizimin e kësaj ëndrre. Kosova ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike; pjesë e botës, për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditët e sotme. Çdo vit që kalon, i thellon themelet e lirisë së Kosovës, rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj, tha Thaçi. Ndër të tjera, kryeministri Thaçi u shpreh se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rezistenca më origjinale në historinë e një populli. Ai tha se lufta e Kosovës ishte kryevepër e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare por edhe e popullit të Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se 12 vjet pas kësaj sakrifice, Kosova po hynë në vitin e tretë të pavarësisë e sigurt për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike. Shumë vjet pas epopesë së komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, Kosova ka hyrë në vitin e 11 të lirisë, gjithnjë e sigurt dhe vendosur për të qenë pjesë e botës euro-atlantike, pjesë e botës për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditën e sotme, nënvizoi ai. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi thanë se Kosova, 12 vjet më parë, ka përjetuar njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj të re, duke e vlerësuar sakrificën e familjes Jashari si aktin më sublim të të gjitha përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Anëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari kërkoi nga institucionet që të punojnë në shtet-ndërtimin e vendit dhe në mirëqenien e popullit të Kosovës. Nën drejtimin e kryeministrit Thaçi, dhe me pjesëmarrje të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe shumë qytetarëve, dje në Prishtinë në sheshin Skënderbeu, u hap manifestimi Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një njësit i Policisë së Kosovës për herë të parë me parakalimin e tyre nderuan këtë manifestim.

Last Updated on E Premte, 05 Mars 2010 22:59

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›