E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: “Kosova në FMN dhe BB, fillim real i zhvillimit ekonomik”



Blerina Olldashi

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore është parë me optimizëm nga Prishtina zyrtare. Ky veprim është konsideruar mbështetje politike por edhe një kapitull i ri i fillimit real i zhvillimit ekonomik, i konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë për shtyp tha se anëtarësimi zyrtar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore është një arritje e jashtëzakonshme e shtetit të pavarur, vetëm për një vit të pavarësisë. Kryeministri Thaçi vuri në dukje se kjo është edhe rezultat i punës së madhe të bërë në Kosovë, i suksesit të konsoliduar të shtetit, i funksionimit demokratik dhe efektiv të institucioneve qendrore dhe lokale, i rritjes së transparencës në punë, i sundimit të ligjit, i luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, i ndërtimit të shoqërisë civile, e përkushtimit për bërjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas Thaçit, kjo ka dërguar mesazhin në gjithë botën demokratike se në Kosovë është ndërtuar klimë e mirë për biznesin. “Kosova është një vend i pëlqyeshëm, shtet i ri, me mundësi të mëdha, mundësi këto të cilat do të shfrytëzohen maksimalisht prej Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”,- tha Thaçi. Pasi falenderoi të gjitha shtetet që kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në FMN, kryeministri vlerësoi se “anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe mekanizmat e tjerë, për aq sa është mbështetje politike, është edhe një kapitull i ri i fillimit real i zhvillimit ekonomik, por edhe i konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”. Në këtë kuadër edhe raportin e “Freedom House” e vlerëson si raportin më të suksesshëm deri më tani për Kosovën. Ndërkaq, në lidhje me ngecjet e identifikuara në sistemin gjyqësor të këtij raporti, kryeministri tha se ky është shqetësim që nga dita e parë edhe për Qeverinë e Kosovës dhe se ka qenë insistues, por edhe kritikues i në këtë drejtim. Ndërkohë ministri i Jashtëm Skënder Hyseni e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare si kontribut për njohjen e mëtejshme të shtetit. “Anëtarësimi në këto institucione shumë të rëndësishme financiare është një dëshmi e fortë se Kosova përfundimisht është stabilizuar si shtet i pavarur, ka ruajtur stabilitetin makro-ekonomik përmes një disipline buxhetore dhe se përfundimisht ajo po bëhet pjesë e familjes financiare ndërkombëtare që shtron para Kosovës edhe obligime, por edhe privilegje”,- ka thënë Hyseni gjatë një konference në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington. Me rëndësi sipas ministrit Hyseni është fakti që rreth 40 vende që nuk e kanë njohur Kosovën kanë votuar për anëtarësimin e saj edhe në Bankën Botërore edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, çka në mënyrë indirekte e bën më optimiste perspektivën anëtarësimit eventual të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›