4 mijë trupa amerikane vendosen në Afganistan
Forcat amerikane në Afganistan filluan një operacion të madh i cili sipas tyre ka për qëllim rivendosjen e pranisë së tyre në disa rajone të kontrolluara nga talibanët. Autoritetet ushtarake amerikane bënë të ditur se rreth 4 mijë marinsa amerikanë dhe rreth 600 personel ushtarak afgan janë të përfshirë në operacionin e mbështetur edhe nga avionë dhe helikopterë të SHBA-ve. Operacioni filloi me hyrjen e njësiteve të marinsave në Luginën Helmand me helikopterë dhe makina të rënda transporti, ndërkohë që avionë luftarakë të NATO-s siguruan mbrojtjen nga ajri. Komandanti i marinsave amerikane në Afganistan, gjenerali Lari Nikollson tha se ajo që ndryshon në këtë operacion është madhësia e forcës dhe shpejtësia me të cilën po veprohet si dhe fakti se trupat do të krijojnë bazat ushtarake në qytete apo fshatra ku do të mund të qëndrojnë më gjatë. Presidenti Obama ka rritur numrin e forcave amerikane në Afganistan dhe duket se ato do të dyfishohen brenda vitit duke arritur shifrën prej 68 mijë trupash.
3 Korrik 2009