E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Marty shumë shpejt do të përballet me drejtësinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se po e pret me padurim ardhjen e komisionerit Dick Marty në Kosovë. Në një intervistë për mediat kosovare Thaçi theksoi se është i informuar se Marty është ftuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, për të prezantuar në Prishtinë raportin e tij që përmban akuza për trafikim organesh njerëzore nga Thaçi dhe nga ish-drejtues të UÇK-së, përfshirë edhe akuza që e pandehin kryeministrin në largim të Kosovës si “bos” të një rrjeti mafioz që merret edhe me trafikim të armëve e drogës.
Marty në fakt është mandatuar nga Këshilli i Evropës për të hetuar dyshimet për përfshirjen e UÇK-së në trafikim organesh të pengjeve serbe. Por autoritetet kosovare e kanë cilësuar raportin e tij si të mbushur me shpifje. Kanë paralajmëruar edhe padi për Martyn, por ai u është kundërpërgjigjur se gëzon imunitet. Ndërsa kryeministri Thaçi ka thënë për zviceranin, se ai nuk do të mundë t`i largohet përballjes me drejtësinë. Ai gjithashtu beson se ka argumente e dëshmitarë rreth motiveve të tij inkriminuese dhe mënyrës inkriminuese të bërjes së këtij raporti, të cilat do t`ia prezantojë drejtësisë ndërsa thekson që edhe vetë Dick Marty, tashmë është në dijeni për këtë gjë.
Thaçi gjithashtu e ka cilësuar këtë raport si “horror” dhe si “pamflet politik”.
Sipas tij, përmbajtja e këtij drafti që synohet të bëhet dokument, është përgatitur në Serbi, dhe e ka marrë bekimin e Rusisë. Raporti, sipas tij, nuk do t`ia dobësojë pozicionin si kryeministër në një takim që e ka paralajmëruar të ndodhë shpejt me presidentin serb, Boris Tadiç. Vendin se ku do të realizohet takimi nuk e ka treguar, por ka thënë se po përgatitet nga Perëndimi. Nga ky takim Thaçi pret “përmbylljen e kapitullit të errësirës dhe të konflikteve dhe hapjen e kapitullit të bashkëpunimit” midis Kosovës e Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›