Kuçi: Jemi të gatshëm edhe për mocion, edhe për zgjedhje

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë të martën pas mbledhjes së Qeverisë, se Qeveria është e gatshme për këtë ballafaqim, por edhe për zgjedhje brenda 45 ditësh, nëse i kërkon dikush.
Kuçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës i respekton rregullat dhe procedurat demokratike të Kuvendit të Kosovës, por duhet që edhe subjektet opozitare të jenë brenda këtyre rregullave.
“Ajo çka mund të them është se si Qeveri ne i respektojmë rregullat demokratike, e respektojmë çdo procedurë demokratike që mund ta merr kushdo në Kuvendin e Kosovës. Besoj që edhe Vetëvendosja sa më shumë që është brenda ligjit është më mirë, edhe për ata edhe për vendin. Jemi të gatshëm që atë mocion ta kundërshtojmë në Kuvendin e Kosovës në kuptimin më pozitiv të fjalës, por po ashtu jemi të gatshëm edhe për çdo veprim tjetër, edhe për 45 ditë zgjedhje nëse do dikush”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi, i cili njëherit është edhe nënkryetar i partisë më të madhe në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë dhe nuk bëhet fjalë për frikë.
“Çështja e frikës është çështje e brendshme. Ne nuk hyjmë shumë në mocione, por ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me sfida demokratike, në Kuvend në zgjedhje, kudo”, ka thënë Kuçi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e votëbesimit për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Hashim Thaçi, mirëpo duket se do të dështojë për faktin se dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK, kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin këtë nismë. (Kosovapress)