E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Mësuesit kanë qenë në ballë të lëvizjeve

Prishtinë -Kryeministri Hashim Thaçi në një aktivitet të zhvilluar në Universitetin e Prishtinës, me rastin e Ditës së Mësuesit, tha se arsimtarët e Kosovës, brez pas brezi, kanë qenë në ballë të lëvizjeve tona shekullore për çlirim dhe përparim. "Kjo ditë mbart dy dimensione të pandashme në historinë e shkollës shqipe: përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri dhe shtet të pavarur. Historia e rrugëtimit tonë drejt lirisë nuk mund të ketë kuptim pa kontributin e arsimtarëve kosovarë", tha Thaçi.

Ai më tej theksoi detyrat dhe sfidat e reja të arsimit kosovar, të cilat kërkojnë përkushtim dhe dije, edhe pas zhvillimeve historike të pavarësisë së Kosovës, të shpallur para më shumë se një viti.

"Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i ndërtuar mbi parimet dhe vlerat e demokracisë. Përpara kemi detyra të mëdha të konsolidimit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik. Në këtë rrugëtim kemi vetëm një alternativë, alternativën e suksesit", theksoi kryeministri kosovar. Kosova, me më shumë se 500 mijë nxënës dhe studentë, ka festuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin, me një sërë veprimtarish të tjera.

Me rastin e kësaj feste të shënuar u hap gjithashtu një ekspozitë fotografike mbi rrugën e mundimshme të arsimit kosovar në periudha të ndryshme kohore, një aktivitet i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe shkolla fillore "Hasan Prishtina " në Prishtinë. Po sot u përurua një shkolle e re në Prizren dhe një mbajt një koncert në Mitrovicë nga nxënësit e shkollës së muzikës "Tefta Tashko".

"Dita e Mësuesit, që lidhet me 7 Marsin e vitit 1887 kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, nuk ishte rastësi, por fryt i përpjekjeve për shkollën dhe arsimin shqip", tha kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi në veprimtarinë qendrore në këtë qytet, duke folur për rrugën e lavdishme të arsimit shqiptar ndër vite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›