E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Mitrovica, e ardhmja e Kosovës

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi,deklaroi se sundimi i ligjit do të shtrihet në të gjithë vendin duke përfshirë këtu edhe veriun e Kosovës. Ai i bëri komentet pas takimeve që pati së bashku me Presidentin Fatmir Sejdiu në Uashington me zyrtarë të lartë amerikanë. Kryeministri kosovar, gjatë një interviste dhënë për “Zërin e Amerikës”, ka deklaruar se në takimin e parë me administratën e Presidentit Obama, u ka bërë të ditur se Kosova është shtet funksional, shumë stabil, dhe se po ndërtohen institucione efektive, demokratike, multietnike, me qëllim që Kosova të jetë vend i të gjithë qytetarëve të saj.

Gjatë intervistës, Thaçi ka folur edhe për veriun e Kosovës, që sipas tij zgjidhja e vetme është integrimi, sepse vetë e ardhmja e Mitrovicës është e ardhmja e Kosovës, prandaj as atje nuk do të ketë vend për veprues jashtëligjorë.

Sipas Thaçit, EULEX-i dhe institucionet vendore do të jenë më aktivë për shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhe shpreson se Serbia do të heqë dorë nga ‘fantazmat’ e Millosheviçit, prandaj edhe Mitrovica do të jetë një qytet integrues edhe territorial edhe ndëretnik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›