Thaçi: Ndarja e Kosovës, hapë çështjen e kufijve të Ballkanit
është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe në BE, është shprehur Thaçi. Kryeministri kosovar ka vlerësuar se gjendja e sigurisë është mjaft stabile dhe se i ka kontribuar integrimit të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në jetën institucionale dhe shoqërore. Kemi forcim të institucioneve tona të sigurisë, si Policia e Kosovës, Agjencia e Sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe prani të NATO. Gjithçka në fushën e sigurisë po shkon drejt normave, standardeve dhe rregullave euroatlantike, nënvizoi Thaçi. Ai ka ripërsëritur se ndër sfidat më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë është integrimi i pjesës veriore në institucionet e Prishtinës dhe zbatimi i ligjit në këtë pjesë të vendit. Ne do të angazhohemi në mënyrë gjithëpërfshirëse në krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, mbajtjen e zgjedhjeve në komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Çështjet sociale dhe ekonomike do të jenë prioritet i qeverisë, ka thënë Thaçi. Sipas tij, synimet e strategjisë janë krijimi i mirëbesimit, integrimi i serbëve në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, rritja e tolerancës së ndërsjellë, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe fitorja e parimeve demokratike në këtë pjesë të Kosovës. Serbët e Kosovës do ti realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më afirmative në kuadër të respektimit të plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të forcimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të plotë të Planit të Ahtisarit, vijoi kryeministri Thaçi. Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës. Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të të dyja vendeve, ka thënë Thaçi. Ai është shprehur optimist se para Kosovës ndodhet perspektiva evropiane. Edhe për Kosovën do të ketë liberalizim të vizave. Ne jemi shtet vetëm dy vjet, kurse vendet tjera kanë punuar dhjetë vjet për të fituar liberalizimin. Për Kosovën do të ketë liberalizim të vizave, do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO, shtoi ai.
Reagimi i Serbisë
Zyrtarë të qeverisë së Serbisë thonë se do të mbrojnë integritetin territorial të Serbisë, që sipas tyre, përfshin dhe Kosovën. Prishtina hedh poshtë idenë e ndarjes së Kosovës dhe thotë se një veprim i tillë do të hapte konflikte të reja. Përfaqësues të qeverisë së Serbisë thonë se në Beograd nuk po flitet për ndarje territoresh në Ballkan. Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Zvonimir Steviq, thotë se Prishtina e Beogradi kanë shumëçka për të biseduar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili, sipas tij, do të jetë në favor të palës serbe. Ajo që mund të konfirmoj është se politika e Beogradit zyrtar, pra e Qeverisë së Serbisë, e Kuvendit të Serbisë dhe e Ministrisë për Kosovën, është e pandryshueshme. Kjo do të thotë që udhëheqja aktuale dhe policia aktuale kanë obligim kushtetues që të mbrojnë integritetin territorial të të gjithë Serbisë, natyrisht me mjete paqësore. Me të drejtë, pritet vendim pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbetet të shihet. Për të gjitha problemet që lidhen në relacionin Beograd-Prishtinë duhet ulur dhe biseduar, thotë Steviq.