Thaçi: Ndarja e Kosovës, do ndryshonte kufijtë në Ballkan
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar dje se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe prandaj, askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje. “Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe në BE”, ka thënë Thaçi në një intervistë të dhënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta. Kryeministri kosovar ka vlerësuar se gjendja e sigurisë është mjaft stabile dhe se i ka kontribuar integrimit të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në jetën institucionale dhe shoqërore. Sipas tij, janë forcuar institucionet e sigurisë, si Policia e Kosovës, Agjencia e Sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe prani të NATO-s. Ai bën të ditur se gjithçka në fushën e sigurisë po shkon drejt normave, standardeve dhe rregullave euroatlantike.
Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës u shpreh se Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës. “Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të të dyja vendeve”, ka thënë Thaçi.