Thaçi: Në Veri nuk do të ketë autonomi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi vrasjen e sotme të drejtorit të drejtorisë së arsimit në komunën e Prishtinës Remzi Salihu. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai tha se ky ishte një sulm ndaj institucioneve të Kosovës.
“Kjo është ngjarja më e shëmtuar e mundshme, që mund t’i ndodhte Kosovës. Është një mesazh për reflektim dhe vendosmëri edhe më të lartë të institucioneve të vendit në luftë kundër krimit. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës e dënon rëndë këtë krim të kryer në zyrtarë e komunës së Prishtinës, ndaj një njeriu të dashur, të respektuar e të vlerësuar nga të gjithë”, tha Thaçi.
Sipas tij institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ndaj vendosjes së sundimit të ligjit, përfshirë edhe veriun e vendit, rrugët e të cilit mbeten të bllokuara nga protestuesit serbë, që nuk pajtohen me vendosjen e doganave të Kosovës në atë zonë. Kryeministri Thaçi tha se pas 25 korrikut, tërësia tokësore e Kosovës është e mbrojtur dhe sovraniteti i saj po forcohet.
Kreu i qeverisë kosovare tha se zgjidhja e situatës në veri është në planin a krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe në Kushtetutën e Kosovës.
“Për veriun e Mitrovicës, nuk do të jetë status special, nuk do të ketë autonomi. Nuk do të ketë ndonjë trajtim, apo administrim ndërkombëtarë. Dëshiroj të thekojë se gjithë skena politike kosovare ka një qëndrim dhe flasim me një zë se duhet të vazhdojë implementimi i dokumentit të presidentit Ahtisaari, duhet të ndodhë investim socio ekonomik, duhet të ketë rend dhe ligj. Dhe vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe Rezolutën 1244, atje do të ketë normalitet, duhet të ketë jetë të re, duhet të ketë perspective” deklaroi Thaçi.