Thaçi: Nuk do të ketë kthim pas, do vijojë normalizimi i situatës

Qeveria e Kosovës do të vijojë me normalizimin e gjendjes në Mitrovisë. Kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për DW, shprehet se për Kosovën nuk ka kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme.
“Pra, nuk do të ketë kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme për Kosovën nga vendimi i 25 korrikut. Unë falendëroj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian për deklarimet e tyre shumë të qarta se nuk ka rikthim prapa të paragjendjes së 25 korrikut, pra nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e status-quos që ka qenë më herët. Pra nuk do të ketë ndarje as de jure e as de facto, që edhe Brukseli edhe Uashingtoni besojnë dhe punojnë bashkarisht me ne për perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit ndërsa vendimi për marrjen në kontroll të pikave kufitare dhe kontrollin e plotë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me datë 25 korrik ka qenë vendim sovran i shtetit të Kosovës, i qeverisë së Kosovës, ka qenë vendim kushtetues, ligjor, legjitim, i drejtë i shtetit të Kosovës”, shprehet Thaçi.
Sipas tij, Kosova do të vazhdojë të funksionojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, natyrisht me përkushtimin dhe vizionin për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit dhe në kuadër të kësaj për raporte të mira edhe me Serbinë.
“Kosova është në fazën e fundit të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur, të implementimit të plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari. Kosova është shtet i pavarur, sovran, ka kushtetutën dhe ligjet e veta për rregullimin e vet të brendshëm vendos vetë. Ka të garantuar integritetin territorial prej komunitetit ndërkombëtar të njohur tani prej 79 shteteve”, thekson Thaçi, për të shtuar se vendimet e qeverisë për reciprocitet janë të drejta, janë në përputhje me rrethanat e reja të krijuara, janë legale.
Duke u ndaluar tek problemi i ndërtimit të urës, ai informon se ajo do të ndërtohet dhe do të afrojë qytetarët e të gjitha komuniteteve për të komunikuar më lehtë. “Kemi të bëjmë thjeshtë me një axhendë infrastrukturore, e cila lehtëson qarkullimin e njerëzve, është investim për të gjitha komunitetet, e cila nuk është vetëm në favor të njërit apo tjetrit komunitet, kundër njërit apo tjetrit komunitet. Ajo është urë e afrimit, e mirëkuptimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve”, nënvizoi Thaçi.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka shprehur mbështetje të plotë për KFOR-in, që në kuadër të mandatit të tyre vazhdojnë të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Sa i përket EULEX-it, më lejoni ta them shumë qartë se duam një EULEX të suksesshëm, ta kemi shumë të qartë, se suksesi i EULEX-it është sukses edhe i Kosovës. Por realisht EULEX-i nuk ka arritur të shtrijë autoritetin në tërë territorin, tash e dy vite negociohet për hapjen e gjykatës në veri dhe në këtë drejtim nuk ka ndodhur asgjë. Diçka e tillë nuk do të tolerohet në pafundësi. Tashti e shumë vite EULEX-i ka axhendën e vet, dosjet e strukturave kriminale në veri, por nuk ka veprime edhe pse janë dosjet e gatshme. Pra duhet të ketë një angazhim konkret dhe në asnjë rrethanë për çështjet e Kosovës, për rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës mos të ketë negociata me Beogradin”, theksoi kryeministri kosovar.