E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Politika nuk duhet të komentojë vendimet e drejtësisë

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se politka nuk duhet të komentojë vendimet e organit të drejtësisë, ndërkohë duke iu referuar rastit të ish-minitrit Limaj kreu i qeverisë kosovare nënvizoi se cështja nuk duhet të etiketohet si vendim i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve.

“Mendoj që politika nuk duhet në asnjë rang të komentojë vendimet e organeve të drejtësisë dhe këtë qëndrim e respektoj edhe sot, dhe është inkurajues qëndrimi i politikës kosovare që të respektojë organet e drejtësisë. Çështja nuk duhet të personalizohet dhe individualizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese“,- deklaroi Thaci në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Kreu i ekzekutivit kosovar vendosjen e policëve dhe doganierëve në veri e konsideron si një veprim të domosdoshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit, ndërkohë thekson se strukturat kriminale serbe, të cilat kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të përballen me organet e drejtësisë.

“Atje është një grup njerëzish që shkelin vazhdimisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që punojnë në kundërshtim me dokumentin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244. Këta njerëz do të ballafaqohen me drejtësinë dhe do të jemi të pa kompromis, dhe do të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm të konsolidimit të shtetit tonë”,-nënvizoi Thaci.

Kryeministri Thaci tha se gjatë vizitës së tij në SHBA mori mbështetjen e ndërkombëtarëve për situtën në veri , ndërkohë duke theksuar se nuk do ketë kthim pas zhvillimeve të 25 korritkut, Thaci tha se Kosova do vijojë dialogun me Serbinë.

“Nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëparshme, do të ketë një mbështetje të plotë që është konfirmuar në takime me zotin Ban Ki-Mun, me sektaren e Shtetit, znj. Klinton dhe Baroneshën Eshton për hapat tonë të mëtutjeshëm në veri të Mitrovicës. Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog ndërshtetëror për çështje teknike me Serbinë, ku tash do të bisedohet për energjetikë dhe telekomunikacion. Do të kemi edhe funksionimin e gjykatës në veri dhe do të krijohen kushtet që me fillimin e funksionimit të rendit dhe ligjit të fillojë të funksionojë edhe rendi demokratik, por edhe investimet”,- u shpreh kryeministri kosovar Hashim Thaci.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›