Thaçi: Sfida e qeverisë së Kosovës, sovraniteti në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të hënën se sfidë kryesore mbetet shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës si dhe zbatimi i agjendës evropiane për Kosovën.
Ai bëri këto komente në Prishtinë ku u mbajt takimi i bordit bashkërendues për sundimin e rendit dhe ligjit.
“Edhe në veri do të ketë edhe demokraci, do të ketë edhe zgjedhje të lira dhe lidership, që do të jetë nga vullneti i qytetarëve dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve qendrore, si në të gjitha hapësirat tjera të Kosovës”, ka theksuar kreu i ekzekutivit.
Duke folur për çështjet e diskutuara në “dialogun teknik” mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Thaçi tha se këto janë bisedime teknike, janë raporte ndërshtetërore mes dy vendeve, Kosovës e Serbisë.
“Janë raporte ndërshtetërore dhe ne duam të shpresojmë se do të ketë një avancim të këtij procesi, në mënyrë që të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe të hapim perspektivë euro-atlantike për shtetin e Kosovës, por edhe për Serbinë, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal në përgjithësi” ka thënë kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, duke folur rreth hetimeve lidhur me akuzat e Dick Marty-t, Thaçi tha se janë të përkushtuar që vendi të lirohet sa më shpejt nga ajo barrë e padrejtë.
“Ne si institucione të Republikës së Kosovës, por edhe si vend dhe si qytetarë, jemi të përkushtuar që Kosova të lirohet sa më shpejt nga kjo barrë e padrejtë. Politikisht ne i besojmë drejtësisë dhe i japim mbështetje të plotë drejtësisë dhe natyrisht ne do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë”, ka theksuar Thaçi.