Thaçi: Shteti i Kosovës, po konsolidohet më tepër

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se shteti i Kosovës po konsolidohet gjithnjë e më shumë. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ai pohoi se kjo po ndodhë, falë edhe situatës dhe operacioneve në Veri dhe se tashmë, pavarësia e vendit është njohur nga 84 shtete.
“Shteti i Kosovës po konsolidohet më tepër dhe ky konsolidim është falë procesit në Veri në Mitrovicë”, theksoi Thaçi. Ndër të tjera ai deklaroi se Kosova është në një fazë të fuqishme të njohjeve të reja. Ndërkohë, që theksoi edhe një herë se në Veri do të shpërbëhen të gjitha strukturat kriminale nëpërmjet bashkëpunimit mes institucioneve vendase dhe ndërkombëtare si KFOR dhe EULEX.
Më tej ai theksoi se do të njihet integriteti i plotë territorial dhe se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Qeveria sipas tij do të punojë për heqjen e vizave, për të cilën ka informuar edhe baroneshën Kethrin Eshton, duke i konfirmuar asaj perspektivën europiane të shtetit të Kosovës. Ndërsa lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi imunitetin e deputetëve, i cili mundëson arrestimin e atyre që dyshohen për vepra të ndryshme penale, edhe nëse imuniteti nuk iu hiqet nga Kuvendi, Thacci deklaroi se respekton vendimet e gjykatës, duke shtuar se qeveria e tij është eficente.