Thaçi: S’po e shesim Aeroportin, po investojmë

Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se Aeroporti i Prishtinës nuk do të privatizohet, por do t’i jepet një operatori privat, i cili me investimet e bërë do të sjellë shërbime më të mira, infrastrukturë më të zgjedhur dhe do të jetë gjenerim i burimeve shtesë për shtetin e Kosovës.
Thaçi i bëri këto komente në hapje të konferencës treditore të ofertuesve për partneritetin publiko-privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Në konferencë po marrin pjesë ofertuesit e kualifikuar në garën për operim dhe zhvillim të ANP-së. Brenda tri ditësh, ofertuesit do të kenë mundësi të japin komentet e tyre rreth draft-kontratës për ANP, e cila u ishte dërguar atyre më 29 dhjetor 2009.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka nevojë për investime të mëtejshme në infrastrukturë dhe shërbime publike nëpër sektor të ndryshëm dhe se meqë burimet financiare të ndërmarrjeve janë të kufizuara, atëherë si mënyra më e mirë është ajo e partneritetit publiko-privat.
“Ne nuk po privatizojmë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ne nuk po shesim pasuritë, aksionet e Aeroportit që u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne thjesht po i drejtohemi një partneriteti, një operatori privat që është kompetent dhe ka përvojë të madhe dhe do të investojë afër 100 milionë euro në vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë ne shpresojmë të bëjmë të mundur dhe besojmë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës të jetë më i miri dhe konkurruesi në rajon për dekadat që do të vijnë”, ka thënë kryeministri Thaçi, transmeton KosovaPress.
Shefi i qeverisë ka siguruar se pas dhënies me koncesion, edhe operatori privat do të respektoj të gjitha afatet sipas kontratës dhe se me ndërtimin e një ndërtesë të terminalit të ri dhe modern, do të bëhet akomodimi i një numri të madh të udhëtarëve dhe shoqërive ajrore që janë gjithmonë në rritje.
Ndërkaq, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, ka folur për rëndësinë e modernizimit dhe zgjerimit të infrastrukturës në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të vendit.
Ai tha se mungesa e mjeteve të shtetit dhe nevoja për të ecur sipas zhvillimeve të rajonit ka bërë që Qeveria e Kosovës po u drejtohet investimeve nga sektori privat, në mënyrë që të ndihmojë për ta kapërcyer këtë hendek dhe për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike.
Sipas Limajt, pas investimeve, kosovarët do të krenohen me ANP-në si me një krenari kombëtare.