Pagesa me bono privatizimi për ndërtimet jashtë vijës së verdhë
27/01/2010 Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet për objektet në proces legalizimi
Objektet në proces legalizimi që ndodhen jashtë vijës së verdhë do të paguajnë gjysmën e detyrimit me bono privatizimi. Vendimi që heq kufizimin për përdorimin e letrave me vlerë është miratuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ku janë diskutuar disa ndryshime në ligjin për legalizimet. Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave parashikon legalizimin e të gjitha ndërtimeve deri në 500 metra katror në masën 50 për qind të tyre me bono privatizimi. “Projektligji parashikon përdorimin e bonove të thesarit në masën 50 për qind për legalizimin e banesave brenda dhe jashtë vijës së verdhë për sipërfaqe 100, 300 dhe 500 metra katror”, - ka deklaruar Ersida Koka, përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Ligji aktual lejon legalizimin nëpërmjet bonove vetëm për objektet e banimit ose objektet e tjera që ndodhen brenda vijës së verdhë dhe për sipërfaqe më të vogla deri në 300 metra katror. “Këtë kufizim ne duhet ta kishim hequr me kohë, që në tetor kur miratuam fillimisht këtë projekt”,- u shpreh Sherefedin Shehu, deputet i PD-së. Projektligji do të kalojë për miratim edhe në seancë plenare.