E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Të gjithë serbët të kthehen në Kosovë

Prishtinë -Të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, kanë të drejtë të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë dhe pronat e tyre, tha të enjten kryeministri Hashim Thaçi. Duke iu referuar ndërtimeve që po bëhen në veri të Mitrovicës, në lagjen Kroi i Vitakut, ku shqiptarë dhe serbë, nën mbikëqyrjen e forcave policore vendore e ndërkombëtare, po vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të tyre, Thaçi tha se e drejta e pronës në Kosovë është e garantuar.

Ndërkaq, lidhur me premtimet që ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, u ka dhënë këto ditë, serbëve të atjeshëm, se Beogradi do t’i financojë ndërtimet serbe në këtë pjesë të Mitrovicës, kryeministri Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë ato që do të marrin vendime adekuate në lidhje me ndërhyrjet që Beogradi i bën në Kosovë, sidomos në veri.

“Njerëzit mund të vijnë në shtëpitë dhe pronat e tyre. Bogdanoviq është qytetar i Kosovës, por, fatkeqësisht, edhe ministër në Qeverinë e Serbisë. Prandaj, sa u përket aspekteve zyrtare, autoritetet kosovare marrin vendime të duhura, si i kemi marrë edhe më herët”, tha Thaçi.

Thaçi tha po ashtu se Kosova ka investuar në vazhdimësi për marrëdhënie të mira me fqinjët. Kurse, raportet me Serbinë, sipas tij, dallojnë ende krahasuar me vendet tjera. Por, Thaçi tha se në të ardhmen mund të priten ndryshime, sidomos nëse Beogradi heq dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës. /REL/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›