E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi, Zanier: Modalitete për zgjedhjet e përgjithshme

Temë kryesore e takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier ishte gjetja e modaliteteve për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet paralmentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj.

Kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

“Mirëpo duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadë të saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa sa i përket tendencave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi ritheksoi edhe një herë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nga ana e tij, Lamberto Zannier theksoi se OSBE-ja është duke e marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri nga fundi i kësaj jave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›