Zyra e Avokatit të Popullit, nën ethet e titullarit të ri
Një nga institucionet kushtetuese që është “paralizuar”, si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga opozita, është edhe zyra e Avokatit të Popullit, e cila prej datës 16 shkurt të këtij viti nuk ka një drejtues të zgjedhur ligjërisht. Ish-avokati Ermir Dobjani synon një mandat të tretë, por ka hasur kundërshti nga ish-vartësit e tij. Skënder Haluci, një nga kandidatët potencialë për Avokatin e Popullit, deklaron për gazetën “Shqip” se Dobjani ka vepruar në kundërshtim me ligjin për përcaktimin e Riza Podës si pasardhës të tij. Haluci deklaron se shkresa e datës 16 shkurt e Dobjanit, e cila u është drejtuar të gjithë punonjësve për delegimin e funksioneve të Avokatit të Popullit komisionarit Riza Poda, është e paligjshme, pasi është nxjerrë në tejkalim të kompetencave që njeh ligji. Ndërkohë, vetë Dobjani, në një prononcim për gazetën, ka deklaruar se do të rikandidojë sërish. Ethet e zgjedhjes së drejtuesit kanë pushtuar zyrën e Avokatit të Popullit. Të gjithë janë në pritje të titullarit të ri, ndërsa nuk mungojnë as thashethemet e para. Emri më i lakuar për postin është vetë Dobjani, ndërsa fjalët e përhapura në ish-zyrën e tij e cilësojnë edhe si një kandidat të mundshëm për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Dikush thotë se ish-Avokati i Popullit për 10 vjet me radhë ka depozituar kërkesën në Presidencë për në Kushtetuese. Ndërkohë, punonjës të tjerë mendojnë se një nga kandidatët për Avokat të Popullit janë edhe komisionerët Riza Poda dhe Skënder Haluci.
Zyra e DobjanitKomisioneri që ka marrë funksionin e Avokatit të Popullit, Riza Poda, deklaron për gazetën se institucioni po vijon punën normalisht. Për çdo ditë, sipas Podës, verifikohen ankesat e qytetarëve të shumtë, madje ata priten edhe në zyrë nga ndihmëskomisionerët dhe punonjësit e Avokatit të Popullit. Situata është normale dhe komisioneri që ka pasuar Dobjanin mendon se nuk ka asnjë afat kohor për këtë situatë. Disa javë më parë, vetë Dobjani deklaroi për gazetën se detyrën e Avokatit të Popullit, gjatë kësaj kohe, do ta kryejë komisioneri më i vjetër, Riza Poda, i cili është mandatuar dy herë në këtë pozicion dhe sipas ligjit i takon që ta mbulojë këtë detyrë. Ndërkohë, i pyetur për mundësinë e rikandidimit, Dobjani tha se “Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota dhe duke parë situatën politike, na duhet që të presim se si do të zhvillohen ngjarjet, pasi pa pjesëmarrjen e opozitës, ky proces nuk mund të kryhet”. Më tej shtoi se të jesh një kandidat real për kreun e Avokatit të Popullit, duhet të propozohesh nga 28 deputetë. “Në qoftë se unë do të arrij të mbledh 28 firma të deputetëve, do të rikandidoj, në qoftë se s’do i mbledh këto vota, do të merrem me diçka tjetër”, pohoi Dobjani. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, zgjedhja e tij kërkon 84 vota që për momentin, duke parë dhe bojkotin e opozitës, duket e pamundur. Në momentin që do të zgjidhet kriza politike në vendin tonë, atëherë pritet të fillojë normalisht dhe procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Ngërçi juridikNjë nga tre komisionerët tek Avokati i Popullit deklaron se institucioni ka një ngërç juridik, pasi në minutat e fundit Dobjani ka hartuar shkresën drejtuar Sekretariatit të Përgjithshëm dhe të gjithë stafit. “Unë gjykoj se punën e Avokatit të Popullit do ta kryejë Riza Poda, pasi është komisioneri më vjetër”, do të shkruante Dobjani në letrën e fundit, ndërsa Haluci e cilëson si tejkalim kompetencash.
“Kjo shkresë drejtuar sekretarit të Përgjithshëm dhe të gjithë stafit, nuk plotëson asnjë nga kriteret për të qenë akt administrativ. Ky akt administrativ, nëse mund ta quajmë të tillë, është akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë në kundërshtim të hapur me ligjin. Ky është një nulitet i plotë. Qëllimi i ish-Avokatit të Popullit është të fusë institucionin në krizë de fakto (pasi çdo ditë paraqitet 4-5 orë në zyrë, çdo gjë që është në kontrollin e Dobjanit)”, thotë Haluci. Ai akuzon rëndë ish-eprorin e tij, se synon të fshehë disa afera korruptive që janë bënë në institucion që nga rikonstruksioni i godinës dhe shitja e autoveturave të institucionit bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Haluci thotë se Avokati i Popullit nuk mund të kalojë në krizë, pasi institucioni funksionon me zëvendësues.
Sipas tij, edhe komisionerët zgjidhen nga Kuvendi dhe si pasojë zëvendësuesi i Avokatit të Popullit përcaktohet sipas ligjit. Haluci mendon se komisioneri më i vjetër në detyrë ka qenë dhe është Florina Nuni dhe jo Riza Poda, pasi të dy komisionerët kanë mandatin e dytë, por Nuni ka qenë disa vite sekretare e Përgjithshme dhe ndihmëskomisionere e emëruar sipas ligjit për statusin e nëpunësit civil. është në institucionin e Avokatit të Popullit që kur është ngritur institucioni.
Shkresa që i ka dhënë kompetencat Podës, sipas Halucës, ka dalë në fund të mandatit të Dobjanit, pikërisht në datën 16 shkurt, ora 15:30-16:00. “Ka pasur si qëllim që ta fusë institucionin në krizë dhe më pas të mendonte të kthehej sërish”, tha Haluci, duke shtuar se zyra e Avokatit të Popullit funksionon normalisht, të gjitha ankesat shqyrtohen, ndërsa për çdo ditë priten shtetas të ndryshëm që ankohen për problemet që kanë. Haluci mendon se veprimi i Dobjani për t’u zëvendësuar me Riza Podën është “lënie në përdorim” të zyrës, deri sa të zgjidhet me procedura të përshpejtuara.
#