E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi falënderoi avokatin Wood për ndihmën në GJND

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u takua me Michael Wood, avokat dhe ish-përfaqësues ligjor i Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kryeministri Thaçi u takua me Michael Wood, avokat dhe ish-përfaqësues ligjor i Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në rastin e opinionit këshillëdhënës rreth ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi edhe njëherë falënderoi avokatin Wood për ndihmën që i dha Kosovës, duke arritur edhe një fitore tjetër shumë të rëndësishme, atë të legjitimitetit të pavarësisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Populli i Kosovës", ka vlerësuar kryeministri Thaçi, "do të jetë gjithnjë mirënjohës për përfaqësimin e drejtë të vullnetit të tyre".

Ndërkaq, avokati Wood falënderoi kryeministrin Thaçi për besimin që i dha, duke i lejuar ta përfaqësojë ekipin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Wood tha se ishte i bindur në fitore, ndërsa vlerësoi se Serbia vazhdon të jetë larg nga implementimi i obligimeve ndërkombëtare, duke marrë si shembull mungesën e fillimit të implementimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të nderojë avokatin Michael Wood me çmimin “Sali Çekaj” për drejtësi për vitin 2011, për meritë të jashtëzakonshme në drejtësi dhe mbrojtje profesionale të ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në GJND.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›