Punë e tyre
Garda e Kosovës po vazhdon të përdoret nga liderët e Kosovës sa herë që po kthehen nga vizitat jashtë shtetit.
Në fakt, ditëve të fundit, djemve të Gardës u ka rënë shpesh të rreshtohen në Aeroportin e Prishtinës.
Ata kanë nderuar të hënën Kancelaren Angela Merkel, derisa një ditë më pas, janë rreshtuar për Presidenten Atifete Jahjaga.
Një gjë të tillë, ata sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë edhe sot gjatë vizitës së Presidentit të Hungarisë në Kosovë.
Por derisa nderimet për burrështetas të huaj duken normale, radhitja për liderët e vendit nganjëherë duket edhe qesharake.
Sido që të jetë, institucionet e vendit kjo komentohet si demonstrim i shtetësisë, pavarësisht se kthimi i Presidentit apo Kryeministrit nga jashtë është ngjarje e vogël që nuk tërheq ndonjë interesim të madh medial.
Zëvendësministri i FSK’së, Shemsi Veseli ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nëse Garda i nderon liderët shtetërorë.
“Konsideroj se edhe në shtetet e tjetra protokolli e përcakton se duhet të pritet Presidenti me ceremoni të veçantë, sidomos kur ka vizita të rëndësishme jashtë shtetit”, ka thënë Veseli në një prononcim për Express të mërkurën.
Pse duhet të nderohen liderët e Kosovës nga Garda e Shtetit të tyre?
“Kjo është edhe demonstrim dhe faktorizim i FSK’së dhe i Shtetit të mirëfilltë. Dalja e Gardës për të pritur Presidenten është demonstrim i respektit ndaj Komandantes Supreme të FSK’së”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se nuk është në kompetencën e FSK’së që të rregullojë pasi kjo është e precizuar me Protokollin e Shtetit.
“Ne duhet të reflektojmë, të demonstrojmë dhe të dëshmojnë se jemi duke shkuar në rrugë të mbarë dhe jemi duke shkuar drejt një ushtrie dhe shteti të mirëfilltë”, ka shtuar ai.
Edhe ushtaraku Anton Quni, i cili aktualisht është deputet i LDK’së, konsideron se Garda e Kosovës duhet t`i nderojë liderët e Kosovës, veçanërisht Presidentin.
“Nderimi me Gardë ushtarake për Presidentët është traditë edhe te shtetet perëndimore”, ka thënë Quni për Express, të mërkurën.
“Garancia e shtetit kur Presidenti del jashtë shtetit është ushtria. E ka simbolikën dhe nëse shikohet prapa në histori, është shumë tradicionale që tani është shndërruar në ceremoni.
Më parë, kur mbreti është kthyer në shtëpinë e vet, apo Presidenti, më së pari e ka takuar Komandantin e Ushtrisë, sepse komandantët kanë dhënë raport dhe i ka treguar cila është gjendja politiko-ushtarake”, ka treguar Quni.
Sipas tij, presidenti del shumë rrallë jashtë shtetit dhe takimin e parë kur të kthehet në vendlindje, edhe simbolikisht, kontaktin e parë duhet ta ketë me ushtrinë.
“Presidenti shumë rrallë e lëshon shtetin dhe pritja me Gardë e tregon nivelin dhe pasqyrën e shtetit. Nuk është diçka primitive”, ka shtuar ai.