E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekzjarrët dolën të jenë raketa

Në një anije që ishte nisur drejt Kinës autoritetet finlandeze konfiskuan raketa dhe eksplozivë të padeklaruar.

Pas gjetjes së armëve që përshkruhet të jenë raketa Patriot, policia tashmë ka marrë në pyetje ekuipazhin e anijes MS Thor Liberty. Sipas ministrit të Brendshëm finlandez, Paivi Rasanen, raketat në dokumentacionin përcjellës ishin evidentuar si "fishekzjarrë".

Pas largimit javën e kaluar nga Gjermania, anija ishte ankoruar në portin finlandez Kotkas. Punëtorët e portit dyshuan se diçka s’ishte në rregull pas gjetjes së eksplozivëve të paketuar keq e në paleta të hapura, ndërkohë që raketat pastaj u gjetën brenda kontejnerëve të shënuar se bartnin "fishekzjarrë".

Drejtori i kompanisë Thorco Shipping, e cila menaxhon anijen e konfiskuar, u shpreh i habitur. Thomas Mikkelsen i tha nga Danimarka agjencisë AFP se ai s’ishte në dijeni për këtë çështje. Një tjetër zyrtar i kompanisë, që foli në kushte anonimiteti, konfirmoi se raketat në anijen e ndaluar në Finlandë mund të kenë qenë ngarkuar gabimisht.

Sipas agjencisë Reuters, policia nuk i konfirmoi raportet e mediave finlandeze, sipas të cilave anija kishte në plan të ndalej edhe në Korenë e Jugut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›