Çmimi për “Politikani më i besueshëm” shkon...

Në posterët dhe afishet e Vetëvendosjes, janë shkruar deklaratat publike të bëra nga Thaçi, Rexhepi e Tahiri, lidhur me shtrirjen e autoritetit shtetëror në gjithë territorin e vendit e çështje tjera me rëndësi politike.
Aktivisti Frashër Krasniqi tha se ideja e kësaj përformace ka qenë që të tregohet se pushteti në Kosovë nuk është një pushtet i bazuar në të vërtetën, në sinqeritetin dhe në të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.
Pushteti i kësaj Qeverie në krye me Hashim Thaçin, sipas tij, ka nisur dhe po vazhdon si një pushtet i cili bazohet në manipulime.
“Neve na kujtohet shumë mirë si një nder ministrat më të papërgjegjshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili i fyen për çdo ditë qytetarët e Kosovës, madje edhe ata që janë në rrezik të çdo ditshëm. Ai ka deklaruar që në janar të vitit 2011 në Kosovë nuk do të lejohen më tabelat e regjistrimit të shtetit të Serbisë. Në të njëjtën mënyrë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri na pat deklaruar qe me një nëntor, do të shuhen strukturat paralele dhe ligji do të vlejë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa krye mashtruesi i kësaj Qeverie, Hashim Thaçi ka kohë që i gënjen qytetarët e Kosovës, që prej një kohe të gjatë edhe prej Qeverisë Thaçi 1. Edhe në vitin 2008, Hashim Thaci ka thënë se strukturat paralele do të shuhen. Në vitin 2008 Hashim Thaçi i ka premtuar qytetarëve të Kosovës që sovraniteti ose shteti i Kosovës është njëqind për qind sovran. Ndërkohë që ne sot e asaj dite, e kemi një shtet ku në një pjesë të territorit nuk ka funksionalitet fare Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje, iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që edhe pse po e përmbyllim një vit me politikanë të tillë, gënjeshtarë dhe mashtrues, të përpiqen që mos ta përmbyllin të ardhmen me politikanë të tillë.
Aktivisti Krasniqi më tej tha se kjo Qeveri edhe pse e ka gojën të mbushur plot me fjalën demokraci, është qeveria më diktatoriale që ka ekzistuar në Kosovë.
“Kjo qeveri e ka gojën plot të mbushur me zhvillim ekonomik, ndërkohë që favorizon vjedhjen. E ka gojën e mbushur me shtrirje të sovranitetit, ndërkohë që favorizon strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë në Kosovë. E ka të mbushur gojën me deklarata kundër korrupsionit, ndërkohë që është Qeveria me e korruptuar që e ka njohur ndonjëherë populli i Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, afishet me premtimet e tre politikanëve - kandidat për çmimin “Politikani më i besueshëm”, i ka vendosur në të gjitha rrugët e Prishtinës, por edhe në të gjitha komunat e Kosovës.