Braçe: “Berisha u ka grabitur shqiptarëve 128 milionë dollarë”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e akuzoi kryeministrin Sali Berisha se jo vetëm ka dështuar për të përballuar krizën e çmimeve në vend, por ka përfituar duke u grabitur shqiptarëve shumën prej 128 milionë dollarësh.
Sipas Braçes, ky përfitim ka ardhur për shkak të ngarkesës me taksa dhe tatime mbi pagat, që u janë bërë qytetarëve nga qeveria. “Për efekt të rritjes së çmimeve, taksave e tatimeve mbi to, që paguajnë qytetarët, Berisha u ka plaçkitur qytetarëve, 128, 1 milion dollarë në 5 muaj. Pavarësisht nga rritja e çmimeve te mallrave te forte, Sali Berisha u ka falur kontrabandistëve nga akciza e pambledhur 23 milionë dollarë. Pra turi “Dialog me gënjeshtrën” i Sali Berishës duhet të materializohet me këta tregues: Sali Berisha u ka marrë qytetarëve, përmes plaçkitjes, nga çmimet 128 milionë USD, nuk u ka dhënë atyre 147 milionë shpenzime operative, mirëmbajtje, kapitale të cilat mungojnë në spitale, shkolla, rrugë plot gropa, bujqësi, energji, ujë etj., por edhe 11 milionë USD shpenzime sociale”, - tha Braçe.
21 Qershor 2008