E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi në vizitë zyrtare në Bruksel

Kryeministri Hashim Thaçi udhëtoi sot për në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian, NATO-s, sikurse dhe shtetit belg.

Kryeministri Thaci në Bruksel do të pritet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton dhe nga komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.

Kurse në selinë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s, ai do të pritet nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Thaçi në Bruksel do të zhvillojë një takim edhe me homologu e tij, kryeministri e Belgjikës Yves Leterme, shteti i të cilit që nga data 1 korrik do ta marrë udhëheqjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian.

“Në takimet e kryeministrit Thaçi me udhëheqësit e lartë të BE-së do të rikonfirmohet thellimi i të gjitha përkushtimeve për perspektivën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, për marrëveshjen tregtare me BE-në dhe çështje tjera me interes”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë, shpërndarë medieve.

Pas marrjes së pyetësorit për Marrëveshje Tregtare me BE-në, në muajt në vijim Kosova pret marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në takimin me sekretarin e NATO-s, Rasmussen, kryeministri Thaçi pritet të prezantojë zhvillimet pozitive në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›