Pacolli, së pari në Shqipëri
Presidenti Behgjet Pacolli të hënën do ta vizitojë Tiranën, ku do të takohet me homologun e tij shqiptar Bamir Topi në Pallatin e Brigadave.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë këshilltari politik i presidentit, Ibrahim Gashi.
“Është vizitë shtetërore, pra formati më i lartë i vizitës. Presidenti do të vizitojë Republikën e Shqipërisë me disa ministra dhe me një grup të madh të biznesmenëve kosovarë. Biznesmenët do të shkojnë një ditë më vonë dhe do të kenë takime të përbashkëta me biznesmenët e Shqipërisë dhe ministrat e fushave përkatëse”, sqaroi Gashi.
Gjatë vizitës në Tiranë, Pacolli do të takohet me kryeministrin Sali Berisha dhe më pas do të takohet edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Në agjendën e vizitës së Pacollit është mbajtja e një fjalimi para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Pacolli do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së, ku kreut të shtetit kosovar do t’i dhurohet në shenjë simbolike edhe çelësi i kryeqytetit.
Ndërsa të martën, në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, presidenti Pacolli do të takohet edhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe me kreu e LSI-së, Ilir Meta.
Pacolli do të vendosë edhe kurorë me lule për nder të të rënëve në monumentin “Nënë Shqipëri”, ndërsa më vonë ai do të niset drejt qytetit të Krujës, ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër.
Është paralajmëruar se Pacolli do të vizitojë edhe qytetin e Lezhës, ku do të vendosë kurorë me lule në varrin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.
Në një ceremoni të veçantë, Pacollit do t’i jepet çmimi “Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës , ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Topi.
Njëherësh kjo vizitë është e para që e zhvillon Pacolli që kur u zgjodh president i Kosovës. Të enjten Pacolli do ta vizitojë Maqedoninë.