E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi përpuron shtëpinë e familjes serbe, thirrje për kthim



Qeveria është shprehur e vendosur se do t’i eliminojë të gjitha pengesat që i dalin përpara procesit të kthimit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dha këtë premtim gjatë drekës që hëngri me familjen serbe Spasiç, shtëpia e së cilës ngriti themelet në një fshat afër Obiliçit. “Në Kosovë është më mirë se në Serbi”. Kështu ka deklaruar Radojka Spasiç. Ajo për vite me radhë, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ka qenë e zhvendosur në Vërnjaçka Banjë të Serbisë. Në oborrin e saj në Crkveno Vodicë të Obiliçit, ishte vetë kryeministri, Hashim Thaçi, ai që përuroi themelet e shtëpisë së re për të dhe familjen e saj. “Më mirë është këtu. Të parët tanë kanë jetuar këtu, ne kemi nipër dhe duam të jetojmë në vendin tonë. Për politikën s’mendoj fare, tashmë është mirë, të shohim se si do të bëhet”,- thotë Radojka Spasiç. Kryeministri Hashim Thaçi, pasi ka ngrënë drekë me familjarët serbë, ka premtuar se Qeveria që ai drejton, do të mundësojë kthimin për secilin serb që dëshiron të jetojë në Kosovë.

Projekti i Serbisë: Kosova më 2013, një nga 7 rajonet serbe

Qeveria serbe ka përgatitur një projekt, sipas të cilit në vitin 2013 Kosova do të jetë një nga 7 rajonet e shtetit të Serbisë. Kështu shkruhet në Strategjinë e Zhvillimit Hapësinor, e cila do të jetë bazë për rajonalizimin e Serbisë dhe për ndryshimet kushtetuese. Shtypi serb shkruan se ky lajm është bërë i ditur nga Presidenti serb Boris Tadiç, i cili në një takim të partisë së tij, ka thënë se ky dokument “është program politik i zhvillimit të Serbisë në 11 vitet e ardhshme”. Sipas kësaj strategjie, Serbia do të ketë këto rajone: Vojvodinën, Beogradin, Serbinë Perëndimore, Serbinë Lindore, Serbinë Qendrore, Serbinë Jugore dhe Kosovën (nuk përmendet Metohia). Një projekt të ngjashëm kishte hartuar edhe partia e ish-kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica në vitin 1998, por për Jugosllavinë e atëhershme. Autori i atij projekti, akademiku Nenad Joviçic, një nga autorët e Memorandumit famëkeq të Akademisë serbe, Kosovën e shihte në dy rajone nga gjithsej 13 rajone sa parashikonte projekti i tij.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›