E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci prezanton planin per Veriun. Serbet bllokojne rruget

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi prezantoi planin operacional për veriun, që parashikon vendosjen e doganierëve dhe policisë kufitare të Kosovës në pikat 1 dhe 31. Thaçi tha se plani i hartuar bashkarisht me Zyrën Civile e Ndërkombëtare do të nis së zbatuari më 16 shtator kur edhe do të bëhet funksionalizimi i pikave doganore në Jarinje dhe Bërrnjak. Ai tha se qeveria e Kosovës është e vendosur për ta realizuar këtë plan në veri, i cili përmban një mori veprimesh për normalizimin e jetës në këtë pjesë të Kosovës dhe për ofrimin e shërbimeve më cilësore për banorët që jetojnë në veri.

“Të gjitha operacionet do të kryhen në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret e Kosovës. KFOR-i do të operojë në pajtueshmëri me mandatin e tij dhe në kuadër të mundësive dhe aftësive të tij. . Autoritetet e Kosovës do të kenë autoritetin komandues, ekzekutiv në pikat 1 dhe 31 dhe mbikëqyrjen e angazhimeve teknike të EULEX-it. Policia e Kosovës, doganat dhe EULEX-i do ta kenë në dispozicion personelin dhe resurset për kryerjen e kontrolleve në pikat kalimtare në Jarinje dhe Bërnjakë. Pika 1 do të mbetet e mbyllur për transportin e mallrave mirëpo policia dhe doganorët e Kosovës dhe EULEX-it do të jenë të pranishëm në Jarinje që të  mbikëqyrini trajtimin e trafikut të automjeteve jo komerciale derisa kjo pikë të bëhet funksionale”- tha Thaçi.

Thaçi sqaroi se të gjitha mallrat për të cilat ka akcizë si alkooli, derivatet dhe cigaret do të zhdoganohet në pikën kufitare në Merdare, në komunën e Podujevës. Ai siguroi se mbledhja e detyrimeve dhe taksave do të bëhet sipas ligjeve dhe procedurave doganore dhe ekzistuese të Kosovës. Kryeministri kosovar tha se plani ka për synim përmirësimin e jetës në veri, duke ofruar infrastrukturë më të mirë, arsim më cilësor, shërbime më të mira shëndetësore dhe mundësi për punësim për të rininë e kësaj pjese. Udhërrëfyesi parashikon edhe mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, gjykata të pavarura dhe jo të ndikuara politikisht si dhe krijimin e katër komunave në veriun e Kosovës, atë të Mitrovicës Veriore, të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.

Pas deklaratës së Thaçit reaguan menjëherë strukturat paralele serbe duke bllokuan disa rrugë dhe ringritur kështu tensionet në këtë pjesë të Kosovës.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›