Thaçi takohet në Ankara me Kryeministrin turk, Erdogan
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mirëpriti në vizitën e parë zyrtare me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Ankara. Vizita e Thaçit në Ankara është e para e një Kryeministri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurtin e vitit 2008. Dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë, e më pas edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në këtë takim, Kryeministri Thaçi dhe ai turk, Erdogan, diskutuan të gjitha aspektet e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Në axhendën e kësaj vizite, Kryeministri Thaçi u takua edhe me kryetarin turk, Abdullah Gul, si dhe me zëdhënësin e Parlamentit, Mehmet Ali Sahin. Ai zhvillon takime edhe në Stamboll. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, Kryeministri Hashim Thaçi do të qëndrojë në Stamboll, ku pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topba. Po ashtu, Kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit, lidhur me investimet në Republikën e Kosovës. Kryeministrin e Kosovës në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Gjatë vizitës së delegacionit të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, në fushat përkatëse. Ndërkohë që kjo vizitë mbyllet ditën e shtunë.
#