E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës bashkoi bandat e Durrësit

Operacioni “Ura” Banda u shkatërrua në vitin 2005. Tashmë kanë të njëjtin qëllim: Të dalin të pafajshëm për akuzat

Organizatat kriminale të qytetit të Durrësit kanë mbijetuar edhe pas arrestimit të 17 anëtarëve në vitin 2005, duke u marrë kryesisht me trafikun e lëndëve narkotike. Pas prangosjes së krerëve të këtyre bandave, Lul Berishës dhe Endrit Dokles, “ushtarët” e tyre kanë harruar inatet e vjetra dhe janë përqendruar për të kryer sa më mirë detyrën, duke kaluar përtej kufijve detarë dhe tokësorë qindra kilogramë lëndë narkotike. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se nga përgjimet e fundit gjatë operacionit të koduar “Ura” janë zbuluar se armiqtë e dikurshëm të qytetit të Durrësit janë bërë miq dhe kanë arritur të bashkëpunojnë, të “hapin rrugë” në disa raste, për të trafikuar jashtë shtetit lëndë narkotike, duke mundësuar në këtë mënyrë funksionimin e linjave të trafikut të drogës, të krijuara pas vitit 1997 me në krye shtetasin Klodian Saliu, i vrarë nga disa anëtarë të bandës. Hasmëritë e bandës kanë nisur pas këtij ekzekutimi në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ndërsa më pas kanë vazhduar inatet midis dy bandave të drejtuara nga Dokle dhe Berisha. Madje, njëra prej organizatave kriminale arrinte të paguante qindra mijëra euro për eliminimin fizik të kapobandës Lul Berisha. Disa tentativa kanë dështuar, ndërsa hetimet e prokurorisë përcaktonin se paratë si “shpërblim” për ekzekutimin e Berishës vinin nga trafiku i drogës.

Megjithatë, gjërat ndryshuan kur dy bandat, nga hasmëritë me njëra-tjetrën, u pikasën nga drejtësia, e cila ndërmori një operacion të gjerë duke prangosur 17 persona dhe duke shpallur në kërkim dhjetëra të tjerë. Në këtë moment, bandat u dobësuan dhe filluan të vepronin në fshehtësi, megjithëse nuk kanë reshtur asnjëherë për të trafikuar lëndë narkotike jashtë Shqipërisë. Inatet janë pakësuar nga viti në vit dhe vrasja e fundit, ku u vra Arjan Saliu, daton më 1 shtator të vitit 2008. Në këtë moment ka hyrë në lojë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka vënë në përgjim të gjithë personat e dyshuar për trafik narkotikësh. Hasmëritë janë shuar edhe për faktin se kapobandat Lul Berisha dhe Endrit Dokle ndodhen në gjendje arresti dhe po gjykohen nga drejtësia për disa vrasje.
Shpeshherë, në sallën e gjyqit, Berisha dhe Dokle kanë bërë pakt të heshtur për moszhvillimin e proceseve gjyqësore, madje i janë kundërvënë dëshmitarëve të sjellë nga organi i akuzës. Ata kanë kundërshtuar edhe të penduarin e drejtësisë, Adriatik Coli, madje deklaratat e Dokles dhe Berishës kanë qenë të njëjta. Duket se kjo “miqësi” brenda kafazit të hekurt është pasqyruar edhe tek “ushtarët” e bandës që ndodheshin në gjendje të lirë, të cilët mundoheshin të fitonin “bukën e gojës” dhe të “ushqenin” kapot e tyre brenda në burg. Madje, prokuroria thotë se pikërisht Endrit Dokle kryesonte organizatën kriminale të shkatërruar së fundi gjatë operacionit të koduar “Ura”, ku janë vënë nën akuzë shtatë persona.

Nga hetimet dyvjeçare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për trafikun e drejtuar nga Endrit Dokle, del se janë dërguar në Itali sasi të konsiderueshme heroine. Prokuroria shqiptare dhe ajo italiane kanë dokumentuar vetëm dy raste, kur droga është kapur në Itali. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, karabinierët në dy episode kanë arrestuar katër korrierë, dy shqiptarë dhe dy italianë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore. Sipas të dhënave nga prokuroria, mësohet se itinerari i heroinës ishte i njëjtë me atë që përdorte i ndjeri Klodian Saliu.

Duket se operacioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka evidentuar të metat e sistemit tonë të drejtësisë, ku individë të arrestuar drejtonin dhe organizonin grupe kriminale për trafikimin e narkotikëve. Megjithatë, hetimet konsiderohen nga policia e prokuroria të plota. “Dosja është referuar nga Prokuroria e Durrësit në vitin 2008”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se hetimet kanë filluar pas vrasjes së shtetasit Arjan Saliu në qytetin bregdetar.

Menjëherë pas kësaj vrasjeje, prokuroria zbuloi se një grup personash kryenin aktivitet kriminal në fushën e trafikut të narkotikëve. Nga të dhënat e mbledhura, përgjimet e vëzhgimet, rezultoi se grupi kishte një shtrirje rajonale dhe drejtohej nga një person i paraburgosur dhe në proces gjykimi te Krimet e Rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›