E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Transparenca dhe hetimi, vetëm për t’i shërbyer reformës së ardhshme zgjedhore

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka folur për tryezën e negociatave të Strasburgut ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Përmes një interviste televizive, kryediplomati shqiptar deklaron se inicimi i bisedimeve shënon një moment të qartë kthese në uljen e palëve dhe për të nisur dialogun e munguar prej muajsh të tërë. Sipas nr 2 të qeverisë, dialogu do të çojë edhe në zgjidhjen e situatës.
“Për mua ajo që është më e rëndësishme dhe që vlen për t’u përshëndetur është mbyllja e grevës së urisë dhe zëvendësimi i saj me dialogun, që është edhe një kërkesë në drejtim të integrimit europian, sidomos, për marrjen e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm.
Meta shtoi më tej se mazhoranca dhe opozita duhet të nisin nga puna pa humbur kohë për nisjen e hartimit të reformës së re zgjedhore.

Zoti Meta, mund t’ju bej një pyetje rreth zhvillimeve në Shqipëri, ose më saktë për atë që do të ndodhë në Strasburg në takimin mes zotit Fule, zotit Berisha dhe zotit Rama. Deri tani është bërë i qartë vetëm formati i tryezës, i darkës së punës. A jeni në dijeni ju për pikat e një marrëveshjeje të mundshme që pritet të arrihet, nëse do të arrihet?
Për mua ajo që është më e rëndësishme dhe që vlen për t’u përshëndetur është mbyllja e grevës së urisë dhe zëvendësimi i saj me dialogun, që është edhe një kërkesë në drejtim të integrimit europian, sidomos, për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Zoti Meta, këto ditë që ju nuk keni qenë në Tiranë ka pasur një debat mes PD dhe PS për çështjen e kutive. PD kërkon zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, pra hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe djegien e kutive me fletë votimi, ndërsa PS kërkon opinion për kutitë me fletët e votimit nga Komisioni i Venecias, paralelisht me hapjen e materialeve zgjedhore. Madje, ka pasur zëra në Tirane që ju keni qenë dakord me këtë propozim të PS. A janë të vërtetë këto zëra dhe a e mbroni ju këtë variant?
Unë do të dëshiroja që të dilja jashtë çdo lloj përpjekjeje spekuluese apo qoftë edhe instrumentalizuese, lidhur me përpjekjet e mia të vazhdueshme apo edhe të forcës politike që unë përfaqësoj për sa i takon domosdoshmërisë së rivendosjes së dialogut politik. Dua të nënvizoj se ajo që është më e rëndësishmja, është se transparenca dhe kushtetutshmëria e këtij procesi duhet t’i shërbejnë reformës së ardhshme zgjedhore.

Në dijeninë tuaj, si ministër i Jashtëm apo edhe si numri dy i koalicionit qeveritar, a ka një draft sot në Strasburg për të cilin duhet të japin OK-in Berisha dhe Rama?
Nuk mund të konfirmoj asnjë element të tillë. Për mua është e rëndësishme që greva është zëvendësuar me dialogun. Ky është i vetmi mjet për të cilin unë kam insistuar vazhdimisht dhe që besoj se është detyra e të gjithëve për ta ushqyer në mënyrën më konstruktive.

Zoti Meta, çfarë ju bën të besoni se këtë herë dialogu do të funksionojë, pasi edhe para tre muajsh, kur ishte Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, Berisha dhe Rama nisën dialogun, por ai dështoi?
Sepse unë mendoj që testimi i rrugëve të tjera tregoi qartë se nuk mund të ketë zgjidhje përveçse kësaj rruge, e cila është vetëm dialogu.

Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar një rezolutë konsensuale për Kosovën. çfarë ka të veçantë kjo rezolutë dhe a pritet që, pas kësaj, të shtohet numri i njohjeve nga vendet e Organizatës?
Miratimi me konsensus i rezolutës për Kosovën nga Konferenca Islamike tregon shumë qartë se opinioni ndërkombëtar, gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohet me progresin që ka ndodhur në Kosove, sidomos gjatë vitit të fundit dhe në përgjithësi pas shpalljes se pavarësisë. Unë jam shumë i sigurt se do të vijojnë njohjet e tjera ndërkombëtare, ashtu sikurse ka ndodhur edhe kohët e fundit, pasi pavarësia e shtetit të ri të Kosovës është futur në një rrugë të pakthyeshme, pavarësisht nga sfidat që ende nuk janë të pakta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›