Barroso kërkon rezultate konkrete nga Podgorica

Në Podgoricë qëndroi për një vizitë pune kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin malazez, ai deklaroi se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare drejt integrimeve evropiane. Barroso, ka përshëndetur angazhimin dhe përkushtimin që tregon kryeministri i ri Igor Lukshic, por ka nënvizuar se Brukseli kërkon nga Podgorica rezultate konkrete dhe të prekshme, e jo rezultate në letër.
"Kryesore tani është implementimi. Dëshirojmë të shohim rezultate konkrete në lëmin e pushtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe forcimin e gjyqësorit të pavarur. Rezultatet janë dëshmia më e mirë e vullnetit politik", ka thënë Barroso.
Nga ana tjetër, kryeministri i Malit të Zi Igor Lukshic, ka deklaruar se pas 100 ditëve të qeverisjes së tij është i kënaqur me plotësimin e 7 kushteve të vendosura nga ana e Bashkimit Evropian për Malin e Zi, për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Barroso pati takime të ndara edhe me presidentin Filip Vujanovic dhe kryetarin e Parlamentit Ranko Krivokapic.