Tharja dhe zjarret “kërcënojnë” rrepet historikë “Monument Natyre”
Gjirokastër-Një ndër elementet më të veçanta të historisë dhe natyrës në Qarkun e Gjirokastrës, siç janë rrepet shekullorë, po kërcënohen nga tharja dhe zhdukja. Bëhet fjalë për ato rrepe të cilat si shkak i vlerave historike apo natyrore që mbartin gëzojnë statusin “Monument Natyre”. Tashmë një pjesë e tyre rrezikohen nga tharja, si shkak i viruseve të ndryshëm, ndërkohë që disa të tjerë janë shkrumbuar nga zjarret masive gjatë stinës së verës. Aktualisht rreth 80 rrepe shekullorë në fshatin Picar, Gjirokastër, po thahen duke kërcënuar zhdukjen e tyre. Sipas përfaqësuesve të pushtetit vendor në këtë zonë, krahas vlerave natyrore që mbartin, pasi rrepet shërbejnë si kurorë e gjelbër për fshatin, këta drurë shekullorë mbartin edhe elemente historike. “Rrepet e Picarit janë dëshmitarë të historisë të popullit tonë, pasi në shekuj nën hijet e tyre janë organizuar kuvende nga patriotët dhe atdhetarët në shërbim të çështjes kombëtare”, thonë banorët e Picarit. I njëjti virus kërcënon nga tharja edhe rrepet shekullorë në qytetin e Libohovës.
Por më problematike bëhet situata e tharjes dhe zhdukjes së rrepeve shekullorë në zonën e Gjirokastrës, kur bëhet fjalë edhe për rrapin me moshë gati 150-vjeçare në qendër të fshatit Mashkullorë. Ky rrap është kthyer në simbol të betejës që zhvilloi çeta e kapedan Çerçiz Topullit kundër ushtrisë turke në fshatin Mashkullorë, në mars të vitit 1908. Këtë ngjarje do ta përjetësonte edhe kënga popullore: “Në Mashkullorë tek rrapi …”. Por si shkak i një virusi pjesa më e madhe e kurorës dhe degëve të këtij rrapi tashmë janë tharë ndërkohë që, në qoftë se nuk ndërhyhet në kohë rrezikon që ky rrap me vlera historike dhe natyrore të zhduket plotësisht. “Rrapi është kthyer në simbol të fshatit Mashkullorë, duke e lidhur gjithmonë atë me betejën e Çerçizit kundër ushtrisë turke, kështu që ne kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të organizmave përkatës për shpëtimin e tij”, thonë banorët e Mashkullorës. Gjithashtu, disa prej këtyre pemëve shekullore janë kërcënuar edhe nga zjarret, pasi zonat ku ata ndodhen janë përshkruar nga flakët gjatë stinës së verës. “Ka patur raste kur zjarrte masive të verës kanë dëmtuar edhe disa prej rrepeve “Monument Natyre”, thonë specialistët e mjedisit në Gjirokastër. Aktualisht në rrethin e Gjirokastrës numërohen rreth 45 “Monumente Natyre”, pjesën më të madhe të të cilave e zënë rrepet shekullore që mbartin vlera historike dhe natyrore.
Bledar Shehu