Task forcë për të goditur piratët e inerteve
Elbasan- Mbyllja e afatit të shfrytëzimit të inerteve në lumenj ka bërë që prefektura të startojë një aksion Task forcë, për të kontrolluar shtretërit e lumenjve Shkumbin dhe Devoll nga shfrytëzuesit e paligjshëm të inerteve. Prefekti Shefqet Deliallisi tha se do të ketë masa të rrepta për të gjithë ata që kapen duke shfrytëzuar lumenjtë, pasi afati i shfrytëzimit ka përfunduar dhe në këtë fazë është koha e rehabilitimit të shtretërve për të evituar përmbytje apo dëme nga erozioni i tokave përgjatë shtretërve të tyre. Prefekti u ka bërë edhe një herë thirrje subjekteve private të respektojnë ligjin, pasi në të kundërt do të përballen me gjoba, mosrinovim kontrate për ata që janë shfrytëzues të ligjshëm dhe sekuestrim të mjeteve. Ai deklaroi se aksioni do të fillojë këto ditë dhe do të vazhdojë derisa të ketë sinjalizime për shfrytëzim të paligjshëm të inerteve në periudhën e ndaluar. Për shkak të erozionit, shumë toka në anë të lumenjve janë gërryer, sidomos në Shushicë por edhe përgjatë fushës së Cërrikut dhe në Peqin. Po kështu erozioni ka dëmtuar edhe tokat përgjatë rrjedhës së Devollit.