Dy automjete shkrumbohen nga zjarret aksidentale
Gjatë ditës së shtunë në Qarkun e Gjirokastrës dy automjete janë djegur si shkak i zjarreve aksidentale. Zjarri i parë është regjistruar rreth orës 10.15 të së shtunës, në një automjet që qarkullonte në bulevardin kryesor të lagjes “18 Shtatori”. Sipas dëshmitarëve okularë, ndërsa lëvizte në pjesën e poshtme të bulevardit, makina është përfshirë nga flakët në pjesën e motorit. “Pashë që nga motori i automjetit dolën shtëllunga tymi dhe flake”, pohon një banor i pranishëm në vendngjarje. Si shkak i shpejtësisë së ulët të lëvizjes drejtuesi i mjetit ka rritur të dalë në kohë nga makina dhe të lajmërojë efektivat zjarrfikës. Pas mbërritjes në vendngjarje zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrti në automjet, ndërkohë që flakët kanë dëmtuar makinën. Sipas ekspertëve zjarrfikës, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në motorin e makinës. Ndërkohë mbrëmjen e së shtunës një tjetër automjet në rrethin e Tepelenës është përfshirë nga zjarri. Sipas burimeve në policinë lokale, rreth orës 18.00 një kamion i firmës që punon për ndërtimin e superstradës Levan-Tepelenë është përfshirë nga flakët. Kamioni ishte parkuar brenda kantierit që ndodhet në zonën pranë fshatit Iliras, Tepelenë. Pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur efektivat zjarrfikës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Si shkak i zjarrit është dëmtuar motori dhe kabina e kamionit tip ASTER, me targa italiane ZHI 9781. Sipas grupit hetimor, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në baterinë e kamionit. Gjatë javës së fundit në Qarkun e Gjirokastrës, si shkak i zjarreve aksidentale, janë shkrumbuar 6 automjete. B.Sh