E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firerra: “Do të isha i nderuar të përfaqësoja Kosovën në Itali”

Pavarësia e Kosovës dhe formimi i shtetit më të ri të Europës në sytë e Konsullit të Nderit pranë Presidentit italian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Giovani Firerra

Z. Firerra, jemi para një fakti historik, pasi në Ballkan sot shpallet pavarësia e Kosovës. A mendoni se ky vend, në pjesën më të madhe i banuar nga shqiptarët, do të njihet si shteti më i ri i Europës?

Mendoj se tashmë pavarësia e Kosovës është një gjë që po preket dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Kushtet ndërkombëtare e sollën tashmë situatën të tillë që nuk mund dhe duhet të kthehemi mbrapa, duke patur gjithmonë në konsideratë faktin që shqiptarët përbëjnë realisht mbi 90 për qind të popullatës prezente në territorin e Kosovës sot. Që ky shtet do të jetë më i riu në Europë këtë nuk e them vetëm unë, por mbi të gjitha e thonë “Fuqitë e mëdha”, të cilat e kanë konsideruar këtë si një fakt të domosdoshëm për historinë dhe mbi të gjitha për të ardhmen. Prandaj për këtë duhet të ishte gjetur me kohë një pozicion përfundimtar. Kosova nuk mund të qëndronte gjjithmonë nën tutelën e dikujt. Nisur nga kjo u takon me të drejtë qytetarëve kosovarë që të kenë pikërisht ata mundësinë për ta caktuar vetë dhe në liri të plotë statusin dhe të ardhmen e tyre. Prandaj, vendimin e banorëve të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar nuk ka se si të mos e dëgjojë. Të punosh për paqen dhe zhvillimin, është një e drejtë që popullit që jeton në atë vend nuk ka pse t’i mohohet .

Qeveria dhe shteti italian janë shprehur pro pavarësisë së Kosovës. Kjo, sipas jush, ka qenë për të bërë “lobing” për shqiptarët, apo ky është një pozicion i drejtë që Italia mban për këtë çështje?

Pozicioni që Italia ka mbajtur dhe mban për çështjen “Kosova” nuk është gjë tjetër veçse pozicioni i duhur që mbajnë pjesa më e madhe e shteteve të Europës. Të nisësh një dialog bashkëpunimi me një vend, mendoj se është një dëshirë e të gjitha vendeve dhe padyshim edhe e Italisë. Te të gjithë është ngulur tashmë besimi që në atë vend të Ballkanit kishte nevojë imediate për paqe dhe zhvillim. Lojërat e mëdha ndërkombëtare nuk janë një kompetencë e imja, por mund t’ju them se tashmë kushtet për pavarësinë janë sot mbi të gjitha të realizueshme. Unë kisha kënaqësinë të isha si i ftuar nderi disa muaj më parë, si i vetmi Konsull Nderi përfaqësues nga Italia në Kongresin Ndërkombëtar të Emigrantëve Shqiptarë në Botë, që ishin mbledhur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Ky aktivitet ishte për mua një nder i madh dhe më dha krenari pasi aty munda që të kuptoj sesa themelore dhe e rëndësishme është për ekuilibrat si në Ballkan ashtu dhe në Botë çështja kosovare.

Si një konsull dhe si një diplomat, si e shikoni të ardhmen e vendeve të Ballkanit, duke ditur që një pjesë e tyre janë tashmë dhe anëtarë të BE-së ?

Pa dyshim fakti që një pjesë e vendeve të Ballkanit janë sot pjesë e BE-së në një kohë që disa të tjerë po kërkojnë me insistim të bëjnë të njëjtën gjë, është vetëm diçka tepër pozitive për të gjithë Europën. Në radhë të parë shkurtohen distancat si ato fizike ashtu dhe ato kulturore, institucionale, si dhe zhvillohet më mirë dhe më shpejt ekonomia e përbashkët. E ardhmja për këto vende nuk kam dyshim që do të jetë më e mirë, pasi për t’u bindur për këtë që po them mjafton që të kthesh kokën pas dhe të shohësh atë çfarë kemi kaluar. Demokracia europiane është një sinonim i paqes dhe i zhvillimit, një objektiv që na përket të gjithëve.

Çfarë aktivitetesh janë bërë nga konsullata juaj në Piemonte kohët e fundit lidhur me çështjen e Kosovës?

Kohët e fundit në Torino kam organizuar, në bashkëpunim edhe me Lëvizjen Federaliste Europiane, Sallonin e Nderit të Këshillit Rajonal të Piemontes, i cili kishte të ftuar mjaft personalitete të institucioneve italiane dhe të politikës, ku si argument ishte çështja e Ballkanit. Ishte në interesin tim që aty të ndizja vëmendjen mbi Shqipërinë dhe mbi rolin strategjik që ka ajo si “Vendi i shqiponjave” në qendër të Ballkanit. Dhe këtu menjëherë debati dhe vëmendja u përqendrua mbi çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe problemet e saj. Aty diskutuam se duhet patjetër që të hidhen bazat për një stabilitet dhe demokraci të këtij vendi pas pavarësisë. Nëse do të më ishte kërkuar që të punoja edhe në nivelin diplomatik për përfaqësimin e Kosovës në Itali, do të isha vërtet i nderuar që ta bëja një gjë të tillë.

Sa të njohura janë në Piemonte shqiptarët e Kosovës dhe çështja e këtij shteti?

Për fat të keq, problemet që lidhen me Ballkanin në Piemonte nuk janë mjaft të njohura. Flitet pak dhe ndonjëherë edhe keq, pa i njohur mirë çështjet delikate. Një nga qëllimet për të cilin realizova dhe takimin për të cilin ju fola më sipër ishte pikërisht kjo që të prezantoja këtë rajon para Italisë. Disa muaj më parë mora pjesë në Torino edhe në një takim ku diskutohej mbi problemet e Ballkanit dhe ku ishin të pranishëm 25 persona. Pas kësaj mendova që të organizoja takimin me përfaqësuesit politikë të Piemontes, me qëllim që të diskutohej pikërisht për këto vende. Në këtë takim morën pjesë mbi 200 persona, ndër të cilët politikanë, përfaqësues institucionesh shtetërore, shoqata shqiptare, diplomatë, si dhe studentë të universiteteve piemonteze. Nga kjo mund të them se u diskutua mjaft për këto vende dhe ata që duhet të dinin diçka më tepër tani e kanë mundësinë se ku mund të marrin njohuritë që kërkojnë.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›