E Diel, 1 Nëntor 2026

Të paregjistruarit në fakultete, rregullat për të ndjekur studimet këtë vit

Jonida Tashi

Nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk kanë marrë dëftesën e pjekurisë, duhet t’u nënshtrohen provimeve të detyruara dhe me zgjedhje. Për këtë çdo nxënës duhet të plotësojë dhe dorëzojë formularin A1 në shkollën ku e cakton Komisioni Mësimor i Shqyrtimit (KMSH) i Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyra Arsimore (ZA) përkatëse. Por para plotësimit dhe dorëzimit të formularit ata duhet të paraqesin në zyrën arsimore përkatëse 3 dokumente. Ndërsa nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 kanë vetëm provimet e detyruara, por jo provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për t’u regjistruar në degët e shkollave të larta publike këtë vit duhet të japin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur dëftesën origjinale të pjekurisë.
Të paregjistruarit në fakultete
Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 iu nënshtruan provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore, por nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e shkollave të larta publike, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit duhet të rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur dëftesën origjinale të pjekurisë.
Verifikimi
KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, pas verifikimit të dokumentacionit dhe kërkesës së çdo nxënësi/kandidati, të parashikuara në nenet 23, 24, 25, 26 cakton shkollën ku nxënësi/kandidati regjistrohet për provimet e Maturës dhe e informon atë me shkrim. Gjithashtu, KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së dërgon në Komisionin e Shqyrtimit të Maturës Shtetërore (KSHMSH) dokumentacionin e çdo nxënësi/kandidati, të parashikuara në nenet 23, 24, 25, 26. Më pas, KSHMSH-ja, pas marrjes së njoftimit zyrtar dhe dokumentacionit përkatës, merr masa për regjistrimin e çdo nxënësi/kandidati.
Tarifat
Çdo kandidat që do t’u nënshtrohet provimeve me zgjedhje duhet të paguajë tarifën e Maturës Shtetërore, në mënyrë individuale, sipas udhëzimit të posaçëm që dërgon MASH-i. Ndërkohë, kjo pagesë duhet të kryhet para se të dorëzohet i plotësuar formulari A2. Regjistrimi i çdo kandidati për provimet me zgjedhje konsiderohet i plotë në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimin. Në qoftë se për arsye të ndryshme kandidati nuk merr pjesë në provimet me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet.

Box
Provimet
Sipas udhëzimit për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore, vitet e fundit të shkollave të mesme të përgjithshme, do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, pasi u mbaron viti mësimor 2007-2008 më 30 maj 2008. Të gjithë maturantët në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar, do t’u nënshtrohen provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore përkatësisht në këto data: Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008, Matematikë 17 qershor 2008, ndërsa lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008. Këtë vit, në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore për herë të parë do të jepet edhe lënda e Gjuhës frënge. Gjithashtu, këtë vit, lënda Njohuri për shoqërinë është ndarë nga blloku i lëndëve Njohuri për ekonominë dhe Filozofi, të cilat do të jepen bashkë. Ndërsa lëndët Histori dhe Gjeografi do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta. Lëndët me zgjedhje, që do të kenë mundësi të zgjidhen nga maturantët gjatë plotësimit të formularit A1, do të jenë: Fizikë, Kimi, Biologji, Anglisht, Frëngjisht, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Njohuri për ekonominë dhe Filozofi.

Dokumentet që duhen dorëzuar

Një vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza)

Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë) ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit

Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve

Lëndët me zgjedhje që duhet të zgjidhen gjatë plotësimit të Formularit A1
Fizikë
Kimi
Biologji
Anglisht
Frëngjisht
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe Filozofi

Durrës, Shkolla në Shënavlash së shpejti me ndërtesë të re

Shkolla bazë në komunën Shënavlash në Durrës, vitin e ri shkollor do të kenë një shkollë të re, me kushte bashkëkohore, termoizolim e palestër. Investimi prej 750 mijë eurosh u financua nga buxheti i shtetit, granti konkurrues, në kuadrin e turit të ndërtimit të shkollave në të gjithë vendin. Dje, ministri i Arsimit, Genc Pollo, hodhi gurin e parë të themelit në vendin ku do të ndërtohet palestra e shkollës. “Ne po mbajmë premtimin tonë për investime, aty ku ka nxënës dhe është përqendruar numri më i madh i popullsisë. Kjo komunë ka pasur shumë herë më pak banorë, ndërsa sot kemi mbi 700 nxënës në shkollën 9-vjeçare”, - pohoi Pollo. Ndërtimi i shkollës së re në Shënavlash kryhet me fondet e buxhetit të shtetit, me vlerë 80 milionë lekë të reja (ose afro 750 mijë euro), në një zonë të populluar rishtas, me parimin e planifikimit të investimeve sipas numrit të nxënësve. Punimet e shkollës katërkatëshe dhe me 24 klasa pritet të përfundojnë në verë të këtij viti.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›