E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetaria e lexueshme dhe letërsia që lexohet deri në fund



Publicistja dhe shkrimtarja Miranda Haxhia dje ka promovuar në mjediset e reja të “zero42”, librin publicistik me refleksione, njerëz dhe ngjarje “Kur qan “Hirushja” e Bllokut”. Janë kronika kulturore, sociologjike, intervista që rikthejnë natyrën meditative të një produkti letrar dhe mediatik që po zhvillohet në vend në këto 10 vite

Gazetarët e mirë shkruajnë atë që mendojnë, më të mirët shkruajnë atë që mendojnë lexuesit e tyre. Mund të ndodhë që të kalojnë shumë tituj gazetash, shumë libra pa u lexuar, pa të mbetur në mendje. Ndërsa nuk mund të harroj se si i ka mbijetuar medias dhe kohës Miranda Haxhia. Rreziku i vetëm nëse e njeh Mirandën është se nuk e harron dot më asnjëherë. Shkrimet e saj të mbeten në mendje, kultura letrare është e nënvizuar dhe e shënjuar si vlerë për letërsinë dhe publicistikën tonë dhe sidomos për shkrimtaret femra që përpiqen të kontribuojnë me punën e tyre intelektuale në civilizimin e shoqërisë dhe emancipimin e gruas, për gazetaret femra që nëse duan të bëjnë gazetari të thellë, të kulturuar duhet të mësojmë dhe të kuptojnë që nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Njëkohësisht është e vështirë të kesh shoqërinë e saj, sepse nuk e gjen nëpër kafene, nuk e gjen në vende ku nuk punohet. Ose shkruan, ose qëmton, ose lexon. Koha e saj është punë këmbëngulëse dhe e pafund për të demonstruar ndjenjën sociale dhe kritike ndaj realitetit të përgjithshëm. Publicistika që prezanton vazhdimisht në media është tronditëse. Ka fakte dhe ngjarje që përcjellin mesazhe. Shumë herë të duket se je njëri nga ato personazhe. Në çdo shkrim është ose nëna, ose vëllai, ose shoku, ose motra, ose fëmija i çdokujt, por nuk janë as të sheqerosura shkrimet e saj. Kanë vetë athtësinë e sjelljes njerëzore. Është jeta jonë e përcjellë me vërtetësi, duke ruajtur një kod të lartë të etikës në median e shkruar.

Media shqiptare ka gjithmonë nevojë për këtë lloj transfuzioni kulturor, se ndryshe do ta gërryejë mediokriteti. Gazetare të mira ka, por gazetare dhe shkrimtare nuk ka. Njerëz që fillojnë jetën pa asnjë sforco ka, por si të tilla që çdo gjë e kanë me përpjekje e pa mbështetje janë të rrallë. Miranda Haxhia është një rast i veçantë. Unë e njoh nga afër, ia di të mirat dhe të këqijat dhe mendoj se është një dëgjuese e shkëlqyer. Në Shqipëri njerëzit rrallë dinë të dëgjojnë. Pëlqejnë më shumë të flasin. E pra, gjithë meraku i Mirandës është që të mos e provojë vuajtjen e njohur mes gazetarisë dhe letërsisë, kur, ose gazetaria është e palexueshme, ose letërsia nuk lexohet. Një shkrim pune, apo intervistë me M. Haxhian nuk do ta refuzoja asnjëherë, sepse gjithmonë shkruan ndryshe, gjithmonë i qëndron besnik fjalës dhe kulturës së fjalës. Kjo ka ndodhur edhe me shumë njerëz të njohur të fushave të ndryshme, të cilët kanë rënë në “grackën” e bukur të pëlqyeshme të gazetares.

Jam e bindur që këtë libër të saj do ta lexojmë deri në fund dhe do kundërshtojmë duke thënë: Gazetaria e saj është e lexueshme dhe letërsia e saj lexohet deri në fund.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›