E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreshnik Spahiu: Vendimet e gjykatës që nuk i pëlqejnë qeverisë, nuk zbatohen

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, flet për raportet e tij me mazhorancën, me Presidentin e Republikës dhe “ankesën” e pritshme ndaj Gjykatës së Lartë që riktheu në detyrë gjyqtarët që pafajësuan Delijorgjin. Spahiu lë të kuptohet, edhe kur pohon përmirësim në kah të kundërt, se ende në Shqipëri gjyqësori sulmohet dhe mbrohet sipas humorit të qeverisjes. “Kur vendimet janë pro qeverisë, gjykatat vlerësohen dhe vendimi ekzekutohet, kur vendimi është në të kundërt, ato shpesh sulmohen dhe vendimi injorohet. Kjo është një situatë që duhet të ndryshojë”, - thotë ai në një intervistë për revistën “MAPO”

Gjykatësit e ndëshkuar nga KLD, ata që i dhanë pafajësi Delijorgjit në Apel, rikthehen në punë nga Gjykata e Lartë. Ju deklaruat se do të ankoheni në Gjykatën Kushtetuese. Mund ta sqaroni më gjatë këtë detaj?

Është e rëndësishme të sqarohet se vendimi gjyqësor i tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak u vlerësua nga KLD si në kundërshtim flagrant me ligjin për një pjesë të tij, pikërisht atë që lidhej me mënyrën e disponimit të padisë civile në procesin penal. Masa e shkeljes së ligjit nga tre gjyqtarë të shkallës së dytë dhe me një përvojë të gjatë profesionale u vlerësua në rastin konkret të ketë qenë kaq direkte dhe e rëndë, në një çështje të bujshme dhe me pasoja të konsiderueshme ekonomike (mbi një milion e dyqind-mijë lekë të reja), sa u konkludua nga Këshilli se preku nivelin e cenimit kushtetues të figurës së gjyqtarit dhe imazhin e dhënies së drejtësisë. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur anulimin e këtyre tri vendimeve dhe gjatë procesit gjyqësor janë shtruar për diskutim disa probleme juridike, të cilat pa diskutim që do të gjejnë pasqyrim në arsyetimin e vendimit nga Gjykata e Lartë. Duke mos vënë në diskutim për asnjë moment autoritetin e Gjykatës së Lartë për rivlerësimin e vendimeve të KLD, Këshillit, - në mbrojtje të mendimit të tij juridik, - i takon të vlerësojë mundësinë e kërkimit të hapësirave të mundshme ligjore që të çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ky nuk është rast i shkëputur, edhe të tjerë gjykatës kanë pasur të njëjtën “mbrojtje” nga Gjykata e Lartë, pasi janë ndëshkuar nga KLD. Çfarë mendoni se nuk shkon mes këtyre hallkave të sistemit?

Për të qenë korrektë me praktikat e mëparshme, duhet të themi që ato i kanë ofruar të dyja situatat. Ka pasur raste, kur Gjykata e Lartë ka vendosur ndryshe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dhe shumë raste të tjera, kur vendimet kanë qenë të sinkronizuara. Nuk dëshiroj të mendoj se ka ndonjë gjë që nuk shkon, vendimmarrja kolegjiale e arsyetuar jep gjithmonë motivacionet juridike dhe mendimi juridik duhet respektuar, për më tepër që kryetarja e Gjykatës së Lartë është anëtare ex officio e KLD. Duke i qëndruar terminologjisë, sqaroj se ligji flet për ‘masa disiplinore ndaj gjyqtarëve’, fjala ‘ndëshkim’ nuk është qëllim në vetvete as i Këshillit dhe as i autoritetit gjyqësor që shprehet pas tij. Me lejoni të nënvizoj në kuadër të kësaj pyetjeje, se mbrojtja e gjyqtarëve është detyrë parësore e vetë Këshillit, por kjo nuk duhet kuptuar si garanci e përjetshme për të

ruajtur vendin e punës, pavarësisht nga mënyra si e ushtron detyrën në atë vend pune.

Do të mund të jepnit ndonjë koment paraprak për tri vendimet e bujshme dhe të kritikuara ashpërsisht nga opozita, por dhe ekspertë të pavarur, të marra nga gjykata e Tiranës për çështjen Durrës-Kukës dhe sekuestrimin e pronave të Damir Fazlliçit? Shihni një kundërvënie mes gjykatës dhe organit të prokurorisë?

Kundërvënia qëndron në diferencimin e dukshëm mes ‘kërkesave’ të organit të akuzës dhe ‘disponimit me vendime’ nga gjykata. Është fakt se gjykatat kanë vendosur ndryshe nga ajo që prokuroria ka kërkuar. Dhe ky fakt është i diskutueshëm vetëm në planin juridik të korrektësisë ligjore të këtyre vendimeve, vlerësimi i të cilave po kryhet nëpërmjet kontrollit të brendshëm gjyqësor, pra në Gjykatën e Apelit, Tiranë dhe mundësisht më pas edhe në Gjykatën e Lartë. Komentet e mia paraprake mbi vendimet e gjyqtarëve do të ishin të pranueshme vetëm si mendime juridike personale mbi një çështje konkrete, siç ndodh në tavolina juristësh, ndërsa në pozicionin e zëvendëskryetarit të KLD do të ishin të tepërta, për sa kohë nuk janë bërë objekt procedimi disiplinor.

Ka një numër ligjesh, të votuara nga parlamenti, që janë konsideruar si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Pse mendoni se ka ardhur kjo situatë? Cili është roli i Ministrisë së Drejtësisë në këto raste dhe sa ndjehet fajësia apo dobësia e saj në punë?

Ligjet janë atribut i legjislativit, pavarësisht nga iniciativa e draftimit në Ministrinë e Drejtësisë apo modelet e përzgjedhura. Ndodh shpesh që faktorë të caktuar politikë, socialë apo ekonomikë në një moment të caktuar të reflektohen në qëndrime ligjore. Është e rekomandueshme që ky të mos jetë një proces i njëanshëm. Ka ligje që janë konsideruar tërësisht antikushtetuese, siç ishte rasti i ligjit për Konferencën gjyqësore Kombëtare me vendimin e muajit të kaluar të GJK, apo ligje të tjera që janë konsideruar vetëm pjesërisht të tilla. Numri i ligjeve të shfuqizuara nuk tregon domosdoshmërisht ‘fajësi’. Në një shtet demokratik garancia më e mirë për respektimin e aktit themeltar të shtetit është pikërisht mundësia që fjalën përtej ligjvënësit, mund ta thotë një organ gjyqësor siç është Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk i lejon interesat e legjislatorit përtej qëllimit që vetë Kushtetuta ka pasur parasysh.

Ka pasur komente të shumta për ligjin e mbiquajtur të spiunëve. Sa mendoni se ai ligj do të ndërhyjë në veprimtarinë e gjyqësorit apo thënë hapur, në dijeninë tuaj, ka gjykatës që preken direkt prej tij?

Do të ndërhyjë në atë masë që vetë ligji e parashikon. Nëse gjyqtarë që aktualisht e ushtrojnë funksionin preken prej ligjit, sigurisht që emrat e tyre do të jenë pjesë e një liste të veçantë. Mendoj që, nëse duhet të them sa ka të tillë nëpër gjykata apo cilët janë, më duhet më parë të nxjerr vendimet e tyre gjyqësore që janë përfshirë në objektin e ligjit dhe me sa ky ligj parashikon këtë gjë e vlerëson Komisioni i posaçëm.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Presidentin e Republikës në rolin e kryetarit të KLD?

Shumë bashkëpunuese. Presidenti është shumë i vëmendshëm në përmbushjen e kësaj përgjegjësie dhe po aq i predispozuar për të mbajtur mbledhjet plenare të Këshillit në ekuilibra profesionalë dhe me shumë integritet. Ky konstatim reflektohet nga i gjithë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përpara të cilit presidenti justifikon autoritetin e tij të padiskutueshëm si kryetar i shtetit.

Dikur, pozita e djeshme ju konsideronte si pjesë e shoqërisë civile pranë Berishës, po sot, cilat janë marrëdhëniet tuaja?

Pyetja për pozitën e djeshme: është ende në “fuqi” mentaliteti: o me mua, o kundër meje. Nëse “dje” kam pasur qëndrim kritik ndaj qeverisë, atëherë me rregull treshi i binte të isha i opozitës. Do më pëlqente të vlerësonim nisur nga ajo që kemi bërë, sa të drejtë kemi qenë në kritikat e bëra? Sa të dobishëm kemi qenë në aktivitetet dhe aksionet e ndërmarra? Natyrshëm, duke qenë përballë pushtetit, aksionet tona favorizonin opozitën e kohës. Misioni i ZMQ në atë kohë dhe më vjen mirë që vijon edhe sot, ka qenë pranë qytetarëve. Sot punoj në një zyrë të shtetit, por me siguri e them se kënaqësia e punës në Zyrën e Qytetarëve është e madhe dhe e papërsëritshme. Të jem i sinqertë, më merr malli për atë kohë. Sot jam në një pozicion tjetër dhe në një raport krejt të ndryshëm përballë mazhorancës dhe opozitës. Pozicioni në KLD është privilegj, për shkak se punon për të rritur besimin në drejtësi.

Qeveria është përfshirë në një betejë tjetër me shtypin dhe konkretisht me gazetën “TemA”, e cila, ndonëse ka një vendim gjykate në favor të saj, bëhet sërish objekt i mosrespektimit nga qeveria. Cili është komenti juaj?

Në një vend demokratik vendimi i gjykatës ka forcën e ligjit. Në këtë plan nuk ka shumë për të komentuar...

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me ministrin e Drejtësisë, Alibeaj, dikur një bashkëpunëtor juaji? Ju pyes, sepse ka një perceptim të qartë publik se konsumoni një armiqësi të qartë me njëri-tjetrin e për më tepër, ndoshta një gjë e tillë dëmton edhe vetë veprimtarinë e KLD. A është vërtet kështu?

Përgjigjja e pyetjes shtron dy plane marrëdhëniesh: atë institucional dhe atë personal. Në planin e parë, si anëtarë të Këshillit, jemi bashkë-komentuar për qëndrime antagoniste mbi çështje të caktuara, dhe është përmendur më pak se shpeshherë kemi ndarë të njëjtin mendim dhe votuar për të njëjtën gjë. Duke u përpjekur të jemi racionalë, pranojmë se pozicionimi i një anëtari të kabinetit qeveritar brenda Këshillit, sigurisht që e bën të vlerësueshëm çdo prononcim në këndvështrimin politik. Mund të them se raportet institucionale janë më se korrekte. Perceptimi publik mbi ‘qëndrime armike’, siç ju po e shprehni, sigurisht që nuk është konstruktiv, por duket sikur po pranojmë se çdo mos-rakordim përbën armiqësi, dhe me ketë të fundit nuk jam dakord.

Mosmarrëveshjet personale apo raportet miqësore në prizmin e tejkalimit të kodeve, profesionale, etike, morale dhe njerëzore unë do doja t´ia lija publikut dhe të tretëve, të cilët kanë qenë të vëmendshëm në këtë raport të vlerësojnë se në cilin krah ka anuar e drejta…..

Prej kohësh Ju si nënkryetar i Këshillit të Lartë të drejtësisë, presidenti, Prokurorja e Përgjithshme, gjykatat dhe gjithë sistemi keni qenë target i goditjeve politike të qeverisë dhe duket sikur historitë përsëriten në raportet e drejtësisë me politikën...

Prej së largu duket sikur historitë përsëriten, por unë do të thoja se ka një ndryshim esencial në shkaqet e këtyre raporteve. Me sa mbaj mend në të gjithë historinë e shtetit të së drejtës, vetëm në 2008 janë vendosur disa standarde të paimagjinueshme më parë. Pothuaj i gjithë kuadri nga gjykatat e Faktit, Apelit dhe deri në Gjykatën e Lartë është mbështetur mbi kritere dhe jo mbi preferenca politike. Askush sot në politikë apo jashtë saj në media apo në institucione nuk ka hedhur as dyshimin më të vogël për përdorim nga politika të drejtësisë. Pakënaqësitë janë të natyrshme, pasi nga mijëra e mijëra çështje që gjykohen çdo vit është më se normale që të kemi të pakënaqur apo një numër të kufizuar çështjesh të padrejta e ku ato bëhen objekt procedimi prej nesh. Ajo çfarë ka çaluar në raportet e politikës me gjyqësorin janë vlerësimi me dy standarde i vendimeve gjyqësore. Kur vendimet janë pro qeverisë, gjykatat vlerësohen dhe vendimi ekzekutohet, kur vendimi është në të kundërt shpesh gjykatat sulmohen dhe vendimi injorohet. Kjo është një situatë që duhet të ndryshojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›