Rriten e eksportet e mallrave për janar-prill me 5 për qind
Eksportet e mallrave gjatë periudhës janar-prill të vitit 2008 shënuan një rritje prej 5 përqindësh. Referuar të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave këtë javë, gjatë 4-mujorit të parë të vitit është regjistruar një rritje prej 5 përqindësh e volumit në total të eksporteve shqiptare e shprehur në sasi. Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe është realizuar një volum mallrash prej 492 452 tonësh, krahasuar me 469 535 tonë të së njëjtës periudhë të një viti më parë. E shprehur në vlerë, gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2008 është realizuar një volum prej 37 442 milionë lekësh, me një rritje prej 18 përqindësh më shumë krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2007, ku u realizua një vlerë 31 773 milionë lekë mallra.
Produktet “BIO”, qeveria zvicerane ofron 2.1 milionë franga
Qeveria zvicerane po financon 2.1 milionë franga zvicerane për të kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike të popullsisë që jeton në zonat rurale në Shqipëri, nëpërmjet shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore në vendin tonë. Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se fondi prej 2.1 milionë frangash zvicerane po menaxhohet nëpërmjet Institutit Kërkimor të Bujqësisë Organike, i ngarkuar për të zbatuar projektin "Për Mbështetjen e Bujqësisë së Qëndrueshme në Shqipëri" (SASA). Projekti do të shtrihet në zona potenciale bujqësore të vendit dhe synon rritjen e aksesit në tregje dhe shërbime të fermerëve shqiptarë për prodhimin e produkteve “BIO”, si fruta, perime, vaj ulliri dhe verë. Në qendër të punës do të jenë inspektimi dhe certifikimi për të siguruar produkte të etiketuara me cilësi të lartë, nëpërmjet strukturës Albinspekt. Bashkëpunimi me qeverinë zvicerane në fushën e bujqësisë pritet të japë impakt dhe të kontribuojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së produkteve organike bujqësore në tregun shqiptar dhe atë të huaj. Zvicra është një nga vendet kryesore ku fermerët shqiptarë eksportojnë produkte bujqësore “BIO”.
Tregtia me Maqedoninë, në 3 muaj 2.3 miliardë lekë
Shkëmbimet tregtare me Maqedoninë gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008 arritën në 2 miliardë e 324 milionë lekë. Sipas të dhënave më të fundit, të publikuara nga Instituti i Statistikave, vlera e importeve kap shifrën e 1.790 milionë lekëve. Eksportet e Shqipërisë me Maqedoninë, gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008, arritën në 534 milionë lekë. Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase po diskutojnë projekt-ide për zhvillimin rajonal në fushën e transporteve, si një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të tyre. Bashkërendimi i projekteve për krijimin e një tregu rajonal në sistemin e transportit do të mundësojë lidhje të shpejtë të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe vendeve të tjera, si dhe daljen e tyre në det.
12 Maj 2008