Autoritetet kosovare kundër propozimit serb për bashkëqeverisje në veri
Qeveria e Serbisë i ka ofruar një plan administratës ndërkombëtare për të bashkëqeverisur enklavat serbe në Kosovë, mbi parimet e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Plani i është dorëzuar zëvendësshefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, nga ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç. Në bazë të këtij plani, merret vesh se qeveria e Serbisë kërkon nga UNMIK-u që të bashkëqeverisë në fushën e sigurisë, atë të drejtësisë dhe në kontrollimin e kufirit. Zyrtarë të UNMIK-ut pranojnë se një plan i tillë është propozuar nga qeveria e Serbisë. Ata thonë se çdo propozim shqyrtohet në zyrën ligjore të OKB-së dhe instruksionet për ndonjë ndryshim mund të bëhen vetëm nga kjo zyrë. Për autoritetet në Prishtinë çdo propozim i Serbisë për të qeverisur në Kosovë, qoftë edhe nëpërmes mekanizmave ndërkombëtarë, është i papranueshëm. Zyrtarë të qeverisë thonë se me Kosovën mund të qeverisë vetëm qeveria e saj, në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar. Analistët politikë, nga ana e tyre, thonë se në Kosovë tashmë ekziston një realitet i ri, ndërsa çdo marrëveshje tjetër që nuk pranohet nga qeveria e Kosovës, ajo cilësohet e dështuar. Analisti Driton Lajçi Lajqi është shprehur se UNMIK-u nuk mund të bëjë më kurrfarë marrëveshje për Kosovën.
22 Mars 2008