Sovraniteti në vizionin e ri të politikës ndërkombëtare
ELVIS DEVOLE
Në infosferën mediatike elektronike edhe në atë të shkruar,kohët e fundit në rubrikat e ngjarjeve dhe të veprimtarive politike, shtetërore, diplomatike midis shteteve, si dhe në axhendën e organizmave ndërkombëtare (OKB, BE, NATO etj.), ka zënë vend dukshëm, diskutimi për një interpretim të ri të çështjes së sovranitetit, në raport me ndryshimet e reja globale që kanë ndodhur dhe që priten të ndodhin në të ardhmen. Diskutimi dhe zbatimi në praktikë i idesë së sovranitetit duket më i vështirë dhe merr një rëndësi të veçantë, sidomos në epokën e sotme të turbulluar nga luftërat e trazirat që kanë përfshirë mjaft vende të botës. Në këtë realitet, binomi politik pavarësi + sovranitet (një simbiozë e pandashme), i përforcuar edhe më tej me idenë e demokracisë, si sfida kryesore e botës së sotme moderne, ka qenë kryefjala dhe synimi më i qartë i lëvizjeve politike për ndryshim. Është fakt se, sot në botë ka një lëvizje të mahnitshme për instalimin e demokracisë, e cila nga ana e saj, përballet vazhdimisht me një faktor mjaft të rrezikshëm që është : konflikti etnik.
Me sa duket vështirësitë që po has sot organizimi botëror për ndërtimin e shoqërive harmonike shumëkulturore dhe shumëkombëshe nuk ka të bëjë me kolonializmin e as me komunizmin. Këto vështirësi dhe pengesa lidhen, padyshim me kërkesat për realizimin në praktikë të idesë së pavarësisë e sovranitetit. Ky fakt konstatohet edhe nëse i referohemi me një retrospektive të shkurtër ngjarjeve historike në harkun kohor të viteve 60-90-të.
Dy valët e demokracisë që shpërthyen gjatë kësaj periudhe ( si ajo vitit 1960 që komprometoi kombet e sapo dala nga kolonializmi, ashtu edhe ajo më e afërta, e vendeve ish-marksiste) pavarësisht, nga llojet e sistemeve qeveritare të vendeve ku nisën, ato prodhuan vlera të ndryshme shoqërore.
Por, forcat për demokratizim në secilin rast u inspiruan dhe ndryshuan rrjedhën nga i njëjti faktor, - nacionalizmi etnik. Edhe në ditët e sotme, vështirë se mund të gjendet një shoqëri në botë që mund të jetë e imunizuar nga ky problem, aq më tepër kur diskutohen dhe trajtohen çështje të pavarësisë dhe sovranitetit të vendeve të ndryshme. Ideja e sovranitetit nuk është një gjetje e re në politikën e sotme moderne. Ajo faktikisht e merr origjinën nga luftërat politike dhe religjioze, që përfshinë Europën në shekullin e 16 dhe të 17, duke njohur më pas një evoluim impresionues gjatë shekujve pasardhës. Ideja e sovranitetit që ka patur në thelb organizimin e jetës politike e juridike fillimisht në vendet e Europës perëndimore, ku gjeti terrenin më të përshtatshëm për tu zhvilluar në mënyrë progresive. Me kalimin e kohës ajo u transformua në një institucion botëror.
Nëse gjatë asaj epoke në Europën perëndimore, jetonin vetëm disa milionë njerëz në një shtet të vetëm sovran (ose të quajtur perandori) sot, i gjithë njerëzimi i kontinentit jeton brenda një sistemi të përbërë nga shumë shtete të pavarura e sovrane.
Është fakt i njohur tashmë se, kontinenti europian kohët e fundit ka pësuar transformime të rëndësishme shoqërore,ekonomike e gjeopolitike. Natyrisht, këto ndryshime kanë ndikuar në shumë drejtime dhe sidomos në organizimin e marrëdhënieve funksionale midis shteteve, rrjedhojë kjo dhe nga vendosja e sistemeve demokratike.
Numri i shteteve të pavarura ka pësuar rritje,duke vazhduar deri në ditët tona (kujtojmë rastin e fundit të shpalljes së Republikës së Kosovës në 17 shkurt të këtij viti). Kjo vërteton faktin se asnjëherë nuk është ndërprerë lufta për ekzistencë, pavarësi e sovranitet e popujve që aspirojnë zhvillim progresiv, duke flakur në këtë mënyrë kthimin prapa në anarkinë feudale.
Gjithashtu vlen të theksohet fakti se, pas luftës së dytë botërore, me shpërbërjen e perandorive të mëdha koloniale, ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së konsiderueshme të numrit të shteteve të pavarura në disa kontinente. Një proces i ngjashëm u verifikua pas përfundimit të “luftës së ftohtë” dhe shembjes së murit të Berlinit që ishte simboli ndarës i shteteve ish-komuniste të Europës lindore me ato të demokracive perëndimore.
Por, gjithnjë duke u fokusuar në interpretimin e saktë dhe sa më korrekt të idesë së sovranitetit dhe zbatimit të saj në praktikë nga kombe e shoqëri të ndryshme, mund ta përkufizojmë se, ajo mbetet një ide kushtetuese e të drejtave dhe detyrave të qeverive, e të qytetarëve por, njëkohësisht dhe ide ndërkombëtare për një shumëllojshmëri shtetesh në marrëdhënie midis tyre.
Sovraniteti i shteteve mund të ushtrohet nga individë të veçantë (në këtë rast iu referohemi monarkive jokonstitucionale, regjimeve diktatoriale fashiste, komuniste, totalitare autoritariste, etj.), të shfaqura gjatë periudhave të ndryshme historike e shoqërore, por edhe nga grupime politike partiake të kohëve moderne, që marrin drejtimin qeverisës të shtetit nëpërmjet aplikimit të sistemit demokratik të përzgjedhur nga vetë shoqëria.
Sovraniteti i shteteve ushtrohet kundrejt popujve brenda territoreve të tyre, si dhe jashtë, mes shteteve të tjera. Në këtë rast, duhet theksuar që elementi më i qëndrueshëm në vazhdimësi konsiston në faktin se, qeveria e një shteti sovran është autoriteti suprem i tij dhe i pavarur nga qeveritë e shteteve të tjera.
Nëse sovraniteti është autoriteti suprem brenda një vendi dhe njëkohësisht origjina ekskluzive e ligjeve të këtij shteti dhe i të gjitha akteve të autoritetit shtetëror dhe konform sistemit ligjor të komunitetit ndërkombëtar, pozicioni i shteteve të tjera sovrane nuk mund të quhet supremaci por, pavarësi. Në fakt, një shtet përcaktohet si sovran, kur nuk është objekt ligjesh i një shteti tjetër.
Edhe pse sovraniteti ka karakter konstant dhe të pandryshueshëm, ai ka evoluar gjatë shekujve dhe është riformuluar periodikisht në politologji e në terminologjinë diplomatike, për të përmbushur ekzigjencat e territorit të shtetit, si dhe ato të periudhave specifike kohore.
Sovraniteti i shtetit kërkon dhe ka nevojë për një përsosje ligjore, duke synuar gjithnjë një organizim sa më fleksibël të jetës politiko-shoqërore, për të krijuar hapësirat e domosdoshme dhe mundësinë për ta patur në fokus si objekt modifikimesh e përmirësimesh. Në këtë rast elementi i qëndrueshëm siç e theksuam (autoriteti suprem i qeverisë sovrane brenda territorit të shtetit) është përcaktuar në vazhdimësi, ndërsa, konsiderohen variabël territori i shtetit dhe subjektet që kanë të drejtë të ushtrojnë këtë sovranitet. Padyshim në përputhje me këtë linjë konsiderohet i drejtë ushtrimi dhe përdorimi i tij me synimet përkatëse.
Shteti sovran nuk mund të jetë një formë e vetme dhe e pandryshueshme përjetësisht e kushtetutës kombëtare. Historia ka dëshmuar se, gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore ideja e sovranitetit është e destinuar të evoluohet në mënyrë të pa parashikuar në sisteme të ndryshme si mbretëri, republikë, teokraci, totalitarizëm apo demokraci.
Në epokën e sotme të globalizmit,në të cilën është përhapur ideja se problemet globale mund të zgjidhen vetëm në mënyrë globale, janë shfaqur fenomene të reduktimit të fuqisë së shteteve mbi politikën ndërkombëtare. Po në këtë aktualitet, jemi dëshmitarë të thellimit të një krize politike të marrëdhënieve midis shteteve. Kjo ka diktuar aplikimin e formave të reja të ndërhyrjes përmes organizmave të komunitetit ndërkombëtar (me risi formulimi diplomatik), në juridiksionin e brendshëm të shteteve, formalisht sovrane e të pavarura. Është fakt se, gjatë viteve 90-të principi i mosndërhyrjeve ka regjistruar dobësim të dukshëm progresiv. Ky fenomen evidentohet nëse i referohemi rasteve të ndërhyrjeve në Afrikë, Azi, Amerikë Latine, Europë (Ballkan) etj.
Këto veprime kanë ndikuar negativisht, jo vetëm në dobësimin e principit të sovranitetit të disa shteteve por, edhe në krijimin e perceptimin e formave të papërfunduara ose të gabuara qeverisëse, nën të cilat sovraniteti i shteteve, OBJEKT I KËTYRE NDËRHYRJEVE’, mbetet i kondicionuar dhe i limituar nga prezenca ndërkombëtare. Format e reja të ndërhyrjes ushtarake dhe civile formojnë shkallëzime gjatë zbatimit praktik të parimit të sovranitetit dhe ndikojnë në abandonimin e asaj që emërtohet si “eguaglianza formale”- barazia formale midis shteteve. Për rrjedhojë, kjo stimulon dhe futjen e elementëve të vetëgjyqësisë gjatë respektimit të parimit të mosndërhyrjes reciproke. Ndërsa, mbështetur në sistemin ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtat njerëzore për çdo komb që mbrohen nga OKB-ja me organizmat e saj, ndërhyrjet janë të pashmangshme. Qëllimi i tyre është pikërisht vendosje e paqes dhe të drejtës sovrane të popujve në botë.
Në rrethanat aktuale një gjë mbetet mëse e qartë: faktorët e shpërbërjes së formave të dështuara qeverisëse të shteteve të ndryshme, ende nuk janë përcaktuar mjaftueshëm për të shrrënjosur përfundimisht vatrat e konflikteve të ashpra ndëretnike, gjenocidet dhe luftërat gjakderdhëse midis popujve.
Kjo mbetet dhe një nga arsyet kryesore që i dikton organizmave ndërkombëtare, zbulimin e mjeteve sa më efikase politike, diplomatike e juridike për interpretimin e zbatimin e idesë së sovranitetit sipas vizionit të ri të botës demokratike.
22 Mars 2008