Kosovë, ndihma ushtarake e SHBA-ve për FSK-në
Forcat e Sigurisë së Kosovës, themelimi pas 4-5 vitesh. Qehaja: “Armatimi për Kosovën i kalibrit të lehtë”
Blerina OLLDASHI
Ndihma ushtarake amerikane e autorizuar nga presidenti amerikan Xhorxh Bush është parashikuar për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSF) edhe pse këto forca nuk janë themeluar ende. Faza e tranzicionit dhe miratimi i kushtetutës, e cila pritet të miratohet në fillim të prillit, janë dy çështje që duhet të përfundohen para themelimit të FSK-së. Funksionalizimi i tij pritet të bëhet pas 4 ose 5 vitesh. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga ana e infrastrukturës ligjore çdo gjë është gati për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të sigurisë, ashtu siç parashikohej në pakon e presidentit Marti Ahtisari.
Sipas ekspertit për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, për funksionalizimin e kësaj force do të duhen 4 deri në 5 vjet dhe armët që do të përdoren nuk do të jenë të kalibrit të madh për shkak se shtetet e vogla që janë nën ombrellën e NATO-s kanë filluar të lirohen nga armatimet e rënda. “Kjo forcë e sigurisë nuk mund të ketë armatim të rëndë. Nuk mund të ketë topa të kalibrave të mëdhenj, nuk mund të ketë aviacione ofensive, raketa. Kjo forcë mund të jetë e pajisur dhe e armatosur me armë të lehta, efektive, të cilat do të shërbejnë për kryerjen e detyrave të njësiteve edhe komandove të kësaj force”, - tha Qehaja. Përgjegjëse për sigurinë në Kosovë aktualisht janë forcat e NATO-s, por sipas pakos “Ahtisari”, një pjesë e përgjegjësisë për sigurinë do të kalojë te FSK-ja, brenda së cilës do të përfshihen edhe njësite nga Trupat mbrojtëse të Kosovës. Megjithatë, ndihmën për Kosovën, Ambasada amerikane në Beograd e ka vlerësuar si rutinor. Këshilltarja për media e Ambasadës Amerikane, Rajan Haris, është shprehur për gazetën “Veçernje Novosti” se është ende herët të saktësohet së për çfarë artikujsh bëhet fjalë, sepse sipas saj, kërkesa duhet të bëhet nga qeveria e Kosovës dhe më pas të kalohet në procesin e vlerësimit. “Vendimi mund të përfshijë furnizimin me armatim të lehtë personal dhe nuk nënkupton pajisjen e cila do të ishte adekuate për forcën ofensive”, - ka bërë të ditur Haris. Sipas planit “Ahtisari”, në Kosovë lejohet që forcat e sigurisë prej 2500 pjesëtarësh si dhe 800 rezervistësh lejohen të kenë armatim të lehtë, gjë që është një e dhjeta e ushtrisë së Serbisë. Analistët për çështje të sigurisë kanë vlerësuar se ndihma e SHBA-ve për armatimin e FSK-së do të jetë me shumë dobi meqenëse ngritja dhe themelimi i saj do t’i kushtojë shumë shtrenjtë buxhetit kosovar. Pajisja e FSK-së me pajisje ushtarake mund të kushtonte deri në 20 milionë euro. Publikimi i vendimit amerikan për dërgimin e armëve në Kosovë ka hasur në reagimin e ekspertëve të ndryshëm. Analisti Nikolas Gvozdev, redaktor i revistës amerikane “National Interest”, shprehet se arsyeja e parë ka të bëjë me samitin e NATO-s në prill si dhe me vetë prezencën e NAT0-s në Kosovë. Megjithatë, dërgimi i armëve do të bëhet edhe në kuadër të planit të Ahtisarit. Në zgjedhjen e këtij momenti ka ndikuar edhe “rezultati zhgënjyes” i samitit të vendeve islamike në Konferencën e Senegalit, ku edhe pse kjo pritej, vendet arabe dhe islamike nuk filluan ta njohin Kosovën. Vendimi i presidenti Bush për të furnizuar Kosovën me armë është mirëpritur nga autoritetet kosovare, por kjo ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi dhe Rusi. Presidenti serb, Boris Tadiç, e ka vlerësuar si lajm të keq vendimin e Presidentit të SHBA-ve për furnizimin e Kosovës me armë dhe ka shtuar se administrata amerikane duhet të përmbahet nga një vendim i tillë. “Ky është një lajm i keq, i cili vjen në një kohë të ndjeshme për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë, dhe unë kurrsesi nuk mund ta mbështes atë”,-ka deklaruar Tadiç për mediat serbe, për të shtuar se kjo “nuk do të guxojë të ndodhë”.
22 Mars 2008