E Diel, 1 Nëntor 2026

PPSH: Ja politika e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

Gazeta “Zëri popullit” analizon situatën dhe marrëdhëniet me vendet komuniste. Tirana zyrtare respektoi të gjitha marrëveshjet. Ku po gabojnë imperialistët amerikanë
TIRANË - Vija e PPSH-së ka qenë kurdoherë në përputhje të plotë me vijën e përgjithshme të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Ajo ka qenë një vijë e drejtë, e pandryshuar për të gjitha problemet e zhvillimit të sotëm botëror. Partia e Punës së Shqipërisë u është përmbajtur me besnikëri mësimeve themelore të marksizëm-leninizmit dhe të parimeve të internacionalizmit proletar, dokumenteve programatike të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, Deklaratave të Moskës të viteve 1957 e 1960. Vija e saj e drejtë është shprehur qartë në të gjitha materialet e dokumentet e partisë, si dhe në të gjitha materialet e dokumentet e partisë, si dhe në të gjithë veprimtarinë praktike të partisë dhe qeverisë sonë. Partia e Punës së Shqipërisë ka qëndruar vazhdimisht në pozitat e luftës së papajtueshme kundër imperializmit, nuk ka ushqyer asnjë iluzion mbi ndryshimin e natyrës së tij agresive, ka demaskuar me vendosmëri politikën agresive luftënxitëse të imperializmit, dhe në mënyrë të veçantë, të atij amerikan, të cilin e ka konsideruar si qendrën e reaksionit botëror dhe xhandar ndërkombëtar, si armikun më të egër të popujve të të gjitha vendeve. Duke qenë plotësisht e ndërgjegjshme për ndryshimin e raportit të forcave në botë, në favor të forcave të socializmit, të paqes dhe të lëvizjes nacional-çlirimtare, ajo as nuk i ka mbivlerësuar dhe as i ka nënvlerësuar kurrë forcat e imperializmit dhe nuk ka bërë asnjë gabim, qoftë aventurier, qoftë kapitullues. Partia e Punës e Shqipërisë e ka konsideruar krijimin e sistemit socialist botëror si fitoren më të madhe historike të klasës punëtore ndërkombëtare. Kampi socialist është baza e fuqishme e mbështetjes së lëvizjes revolucionare e çlirimtare botërore, forca kryesore në luftën kundër imperializmit, kështjella e paqes dhe e progresit shoqëror të mbarë njerëzimit. Partia e Punës e Shqipërisë ka ndjekur me vendosmëri politikën e miqësisë, të lidhjeve vëllazërore, të bashkëpunimit e ndihmës reciproke me të gjitha vendet socialiste. Ajo u ka qëndruar besnike dhe ka respektuar me rigorozitet normat e marrëdhënieve midis vendeve socialiste e partive komuniste. Ndihmën e përkrahjen e vendeve të tjera socialiste ajo e ka konsideruar kurdoherë si një faktor shumë të rëndësishëm për ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Nga ana e saj ajo ka dhënë kontributin e vetë për forcimin e kampit socialist dhe të unitetit të tij. Në marrëdhëniet me vendet kapitaliste PPSH-ja dhe qeveria e PPSH-së kanë ndjekur me konsekuencë politikën e bashkekzistencës paqësore, të bazuar në parimet e barazisë, të ndërhyrjes në punët e brendshme të njeri-tjetrit dhe të respektit reciprok, politikë të cilën e kanë parë gjithnjë si një formë të luftës së klasave në arenën ndërkombëtare që zhvillohet në të gjitha frontet - ideologjik, politik dhe ekonomik - midis dy sistemeve, atij kapitalist dhe socialist. Këtë politikë ata e kanë quajtur dhe e quajnë si të vetmen politikë të drejtë midis vendeve me sisteme të ndryshme shoqërore dhe nuk e kanë shtrirë kurrë në marrëdhëniet midis klasave të kundërta në vendet kapitaliste, si dhe në marrëdhëniet midis popujve të shtypur e të skllavëruar dhe kolonizatorëve imperialistë. Luftën për bashkekzistencën paqësore midis vendeve me sisteme të ndryshme shoqërore PPSH-ja e ka parë si një nga rrugët e rëndësishme për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë. Në përshtatje me kushtet e reja, ajo nuk i ka konsideruar dhe nuk i konsideron sot luftën botërore dhe luftërat e tjera agresive të imperializmit si fatalisht të pashmangshme, por në të njëjtën kohë i përmbahet pikëpamjes se për deri sa ekziston imperializmi, mbetet edhe baza për luftëra agresive. Ajo ka bërë gjithnjë dallim midis luftërave të drejta dhe ka demaskuar e dënuar agresorët imperialistë. Partia e Punës e Shqipërisë e ka parë luftën për paqe si luftë kundër imperializmit, me atë amerikan në krye, sepse pikërisht prej tyre vjen rreziku i luftës, ata janë armiqtë e paqes. Ajo ka menduar dhe mendon se paqja dhe bashkekzistenca paqësore nuk mund t’u lypen imperialistëve, ato nuk mund të sigurohen me lajka dhe lëshime ndaj tyre, por vetëm duke ua imponuar atyre me anën e një lufte të vendosur të të gjitha forcave paqedashëse të botës. Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë dhe është për uljen e tensionit ndërkombëtar dhe për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme që qëndrojnë sot në rendin e ditës, siç janë çarmatimi, ndalimi i provave të armëve atomike, përfundimi i traktatit të paqes me Gjermaninë dhe shndërrimi i Berlinit Perëndimor në një qytet të lirë e të çmilitarizuar. Për zgjidhjen e këtyre çështjeve janë të nevojshme takimet dhe bisedimet midis përfaqësuesve të shteteve të ndryshme, por ato duhet të kombinohen me luftën e popujve, si forca kryesore që i detyron imperialistët të shkojnë në bisedime dhe që gjatë tyre të mund të arrihen rezultate konkrete. Partia e Punës e Shqipërisë e ka parë lëvizjen nacional-çlirimtare të popujve kundër shtypjes imperialiste për lirinë dhe pavarësinë kombëtare si një nga lëvizjet më të mëdha të kohës sonë, që minon pozitat e imperializmit, dobëson dhe ngushton sferën e sundimit të tij. Por partia jonë mendon se sistemi kolonial i imperializmit nuk është likuiduar akoma, se nën këtë sundim vuajnë akoma miliona e miliona njerëz të kontinenteve të tëra dhe se imperialistët, me ata të SHBA-ve në krye, bëjnë të gjitha përpjekjet, duke mos u ndalur përpara luftërave e agresioneve të hapura, për të ruajtur pozitat e tyre dhe për të rivendosur në forma të reja shtypjen e shfrytëzimin e tyre kolonial. Lufta e këtyre popujve kundër imperializmit është në të njëjtën kohë një luftë për triumfin e paqes dhe të bashkekzistencës paqësore, një aleate e madhe dhe një mbështetje e fuqishme për luftën revolucionare të klasës punëtore ndërkombëtare dhe për të gjitha vendet socialiste.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 18 prill 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e së dielës do të lexoni:
Ku do ta çojë Hrushovin vija revizioniste dhe oportuniste që po ndjek?
Si e shndërroi ai Deklaratën e Moskës në mjet grabitqar dhe antipopullor
Vizita e Hrushovit në SHBA dhe fundi imagjinar i Luftës së Ftohtë
Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›