Maqedonia sot do të njohë Kosovën, Çekia në prill
Njohja e Republikës së Kosovës nga Maqedonia pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme, ndërsa Çekia do ta njohë atë në prag të Samitit të NATO-s. Burime të sigurta brenda qeverisë maqedonase, nën kushte anonimiteti kanë bërë të ditur se vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës shtet i pavarur e sovran do të merret këtë fundjavë. Para dy ditësh, presidenti Sejdiu, pas takimit me kryetarin e BDI-së vlerësoi vijën e bashkëpunimit dhe të integrimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, duke shtuar se edhe Maqedonia do të ndjekë hapat e vendeve të tjera të rajonit. “Presim që këto ditë në rrjedhë normale të proceseve në Maqedoni, do të bëhet ashtu siç kanë bërë edhe vendet e tjera të rajonit”, - është shprehur Sejdiu. Nga ana e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se do të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, duke premtuar angazhim për njohjen e pavarësisë nga Maqedonia.
Ndërsa Çekia mendohet ta njohë Kosovën në prag të Samitit të NATO-s në Bukuresht, që fillon më 2 prill. “Ndërkohë, propozimi është i gatshëm, kurse qeveria do ta shqyrtojë atë më pas në mbledhjen e së mërkurës”, - tha shefi i diplomacisë çeke, Karel Shvarcenberg, për të përditshmen “Hospodarske Noviny”. Ndërkaq, zëvendëskryeministri çek për çështje europiane, Aleksandër Vondra, ka bërë të ditur se bashkë me propozimin, ministrat do të marrin edhe raportin se si e ka zbatuar Prishtina planin e Marti Ahtisarit. “Raporti i ministrit të Jashtëm do të duhet të tregojë se në Kosovë janë plotësuar kushtet, për të cilat është zotuar qeveria e Kosovës”, - është shprehur Vondra. Njohjen e Kosovës deri tani e kanë kundërshtuar opozita çeke dhe presidenti Vaclav Klaus.
22 Mars 2008