Ndihma ekonomike, nisin shenjat e para të krizës shqiptaro-kineze
Gazetari i “The New York Times”-it analizon raportet Tiranë-Pekin. Si e përdori Kina Enver Hoxhën për të sulmuar Nikita Hrushovin
David Binder
BEOGRAD – Një diplomat i njohur lindor tha gjatë kësaj jave se Shqipëria po përballet me vështirësi ekonomike serioze dhe se kjo është arsyeja kryesore për një shkrirje të akujve në marrëdhëniet e saj me vende të tjera komuniste europiane. Megjithatë, një element tjetër duket se po kontribuon në drejtim të ndryshimit të situatës në Shqipëri. Kjo është përshkruar nga një vëzhgues komunist si “presion i realiteteve të reja objektive” në skenën ndërkombëtare. Përpara se Shqipëria të shkëputej nga blloku komunist sovjetik në vitin 1961 dhe për tre vitet e pasme, komunistët kinezë, të inkuadruar në partinë e Enver Hoxhës, e përdorën (Shqipërinë, - shën. red.) si “karrem” në konfliktin e tyre me Bashkimin Sovjetik. Ata e nxitën zotin Hoxha të sulmojë Moskën si një qendër e re e “revizionizmit”, një kopje e ngjashme e presidentit të Jugosllavisë, Josif Broz Tito. Kinezët ribotuan në shtypin e tyre denoncimet shqiptare, duke i mbledhur ato që ata i shikonin në këndvështrimin e përfitimeve ideologjike, pa shfaqur përgjegjësinë për autorësinë së tyre.
Shqiptarët humbasin drejtimin
Është e qartë që në nisje se sulmet shqiptare ishin në thelb vepër e kinezëve. Por, gjatë dy viteve të fundit kinezët kanë ndryshuar plotësisht, sidomos ndaj sulmeve të drejtpërdrejta kundër Bashkimit Sovjetik dhe udhëheqjes së Kremlinit. Për shkak të kësaj, shqiptarët u bënë thuajse të padobishëm për kinezët. Ndërsa Jugosllavia, në anën tjetër, po orientohej në luftën ideologjike sikur ajo të kishte humbur rolin e saj si “shënjestër e veçantë e kritikës kinezo-shqiptare si revizioniste dhe akuzat ishte zhvendosur prej Pekinit kundër Bashkimit Sovjetik, si objekt i armiqësisë së vërtetë. Gjithashtu, që nga viti 1962 kinezët e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me popujt jo të bardhë të Azisë dhe Afrikës, ndërsa po e linin t’iu venitej interesi i tyre në shtetet komuniste europiane. Këto zhvillime ndërkombëtare e kanë zhvendosur Shqipërinë nga qendra e konfliktit në lëvizjen komuniste. Tani ajo që duket është se kinezët, paralel me humbjen e interesit të tyre në Shqipëri, si një aleat politik, ata gjithashtu, kanë humbur interesin për ekonominë e saj.
Kinezët premtuan hua
Kjo ishte premtuar më tepër se nëntë muaj më parë, që kur një delegacion shqiptar u kthye nga Pekini me një premtim për një huadhënie për planin e ri pesëvjeçar të periudhës 1966-1970. Por duket se kreditë nuk janë dhënë ende. Gjithashtu, kinezët po shfaqin ngurrim në dërgimin e anijeve me mallra konsumi, aq të nevojshme për Shqipërinë në këto momente. Po ashtu, ata janë treguar të ngadaltë në shpërndarjen e pajisjeve për realizimin e projekteve në disa fabrika. Të përballur me sasinë e pakët furnizimeve, shqiptarët kanë qenë të detyruar të shikojnë drejt tregjeve më të mëdha në Europën Lindore dhe se atje ka pasur një rritje të vazhdueshme në tregtinë e tyre me rajonin. Më tepër se një vit më parë, Shqipëria firmosi dhe mori lejen nga armiku i saj më i urryer, - qeveria e Beogradit, - që të transportojë perime me kamionë përmes Jugosllavisë drejt Europës Qendrore.
Burime informacioni thonë se përfaqësuesit e Tiranës, gjithashtu, kishin negociuar me francezët që të marrin asistencë në thellimin e portit më të madh tregtar në vend, në Durrës. Këto zhvillime janë ndjekur me interes të veçantë nga qeveritë europiano-lindore dhe veçanërisht nga Bashkimi Sovjetik, të cilat janë paraqitur në mënyrë të ngrohtë nga Tirana, përmes radios së tyre shtetërore. Disa vëzhgues besojnë se aktualisht ka një element gatishmërie. Europiano-lindorët po e vlerësojnë Shqipërinë. Deklaratat e partisë së zotit Hoxha dhe të shtypit të saj në tre javët e fundit bëjnë të ditur se Shqipëria nuk ka ndryshuar pozicionin e saj themelor ideologjik. Tirana e ka riangazhuar veten e saj vazhdimisht në politikat militante të Kinës dhe është kundër “pikëpamjeve revizioniste” të Beogradit dhe të Moskës.
Më 12 shkurt, shtypi i Tiranës bëri të ditur se Partia Komuniste (Punës, - shën. red.) e Shqipërisë ka refuzuar një ftesë të Polonisë që të ndjekë takimin e Traktatit të Varshavës ku do të diskutohej ndihma e përbashkët komuniste për në Vietnamin e Veriut. Ai njoftonte se akuzohej Bashkimi Sovjetik për një qëndrim kompromisi në lidhje me Vietnamin.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 21 shkurt 1961
Titulli origjinal është: “Economic woes seen in Albania”
Përgatiti: Albert Gjoka
22 Mars 2008