E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet bilanci i dëmeve nga shiu

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin prej disa ditësh kanë krijuar probleme dhe përmbytje në disa qytete e komuna. Përveç përmbytjeve të fushave, vazhdimi i shirave ka filluar të shkaktojë shkarje dheu në terrenet kodrinore e malore, duke zgjeruar kështu hartën e zonave të emergjencës.

Zonat e përmbytura

Në Laç, Lezhë dhe Shkodër uji ka arritur deri në 50 centimetra mbi tokë, duke përmbytur qindra hektarë tokë dhe duke dëmtuar dhjetëra shtëpi e qindra familje të rrezikojnë të mbeten të pastreha. Ndërkohë janë rreth 100 hektarë tokë në zonën e Laçit e Mamurrasit, që janë përmbytur për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese. Ndërkohë, situata paraqitet e njëjtë edhe në fushën e Kurbinit, lagjet SMT dhe Barbullun të Lezhës, ku niveli i ujit arrin në rreth 30 centimetra. Problemet me hidrovorin kanë bërë që niveli i ujit të jetë në nivele të larta dhe të përmbysë banesat në ishull Shëngjin. Situata ka vazhduar të jetë e rënduar dhe në Fushëkuqe, fshatin Gjormë dhe fshatin Adriatik të Mamurrasit, ku janë përmbytur dhjetëra shtëpi, ndërsa niveli i ujit mbetet në të njëjtat kuota të ditëve më parë. Por, nga reshjet e shiut me intensitet gjatë natës dhe mëngjesit të djeshëm, vazhdojnë problemet edhe në Velipojë, Bushat e Bërdicë, ku në fakt hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë, por janë kanalet kulluese ato që rezultojnë të bllokuara, e si pasojë nuk thithin dot ujin brenda tyre. Në qytetin e Laçit, për shkak të motit të keq, shumë banesa janë ende nën ujë. Situata ka qenë shqetësuese dhe në Skrapar, ku shirat e shumtë që vazhdojnë të bien me intensitet të lartë, ka sjellë prurje të mëdha të përroit të Guhakut, duke rrezikuar seriozisht ujësjellësin e qytetit.

Ndërkaq, në Kukës, për shkak të reshjeve është shembur një shtëpi banimi në fshatin Cane të Komunës Bicaj, ku ka mbetur pa strehë një familje me gjashtë anëtarë.

Rrugët

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar tashmë edhe bllokimin e disa akseve rrugore në veri të vendit. Për shkak të motit të keq vazhdon të jetë e bllokuar rruga Shkodër-Dukagjin në vendin e quajtur Lotaj, pasi në orët e natës një masiv dheu shkaktoi bllokimin e saj. Ndërkaq, një aks tjetër rrugor që raportohet si i përmbytur është ai Mamurras-Milot, i cili rezulton i pakalueshëm, për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese.

Ndërkohë, në aksin Kukës-Shishtavec ka pasur probleme, pasi në shumë vende ka shembje dherash dhe rënie gurësh. Probleme ka pasur edhe rruga Kukës-Krumë, veçanërisht në segmentin ku po punohet për zgjerimin e trasesë. Sipas burimeve nga terreni, mësohet se rrugët që çojnë në Komunën e Arrnit, Zapodit dhe në disa fshatra të largët të Bushtricës janë të pakalueshme, për shkak të rënies së dherave dhe erozionit.

Reshjet e shumta të shiut kanë krijuar probleme edhe në akset rrugore në jug të vendit. Kështu, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, rrëshqitja e disa masivëve gurësh kanë bllokuar njërën korsi të autostradës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Është dashur ndërhyrja e dy fadromave që situata të normalizohet shumë shpejt dhe të shmanget ndonjë aksident i mundshëm rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›