E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet një hotel-bordello në Vorë, arrestohen katër femra dhe administratori

Pas një periudhe disa mujore hetimesh intensive, duke përdorur edhe përgjimet dhe infiltrimin e agjentëve si klientë, policia njoftoi se përfundoi me sukses natën e parmbrëmshme operacionin e koduar me emrin "Nevada". Kështu, parmbrëmë në mesnatë, uniformat blu të Tiranës arrestuan në flagrancë në Vorë administratorin e një hoteli me të njëjtin emër, "Nevada", bashkë me katër vajza që ushtronin prostitucion. Njërën prej tyre gjykata e ka lënë në arrest shtëpie.

Operacioni
Sipas policisë, të arrestuarit janë: Alfred Bashkim Bakia 26 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, i cili ishte edhe administrator i hotelit ku ushtrohej prej kohësh veprimtaria e jashtëligjshme e prostitucionit. Ç.Th., 22 vjeçe, lindur në Lushnjë dhe banuese në Laprakë, Tiranë. E.S., 16 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë. B.L., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila do të ndiqet në hetim të lirë. "Arrestimi i tyre u krye sepse dyshohen që në aksin rrugor Tiranë-Durrës, shtetaset e sipërcituara siguronin klientë dhe më pas kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt përfitimit në hotel "Nevada", me administrator shtetasin Alfred Bakia", tha policia. Sipas saj, operacioni për parandalimin e këtij fenomeni dhe kapjen e tyre u zhvillua duke realizuar metodat speciale të hetimit brenda një kohe tepër të shkurtër. Ndaj administratorit të këtij hoteli u mor masa e arrestit për konsumim të veprës penale të "Mbajtjes së ambienteve për prostitucion", ndërsa për shtetaset u mor masa e arrestit për konsumim të veprës penale të "Prostitucionit". Gjatë aksionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 40 mijë lekësh të përfituara nga ky aktivitet deri në momentin e ndërhyrjes së agjentëve civilë, 4 telefona celularë dhe 10 copë prezervativë.

Aktiviteti
Sipas burimeve të policisë, në hotelin "Nevada" kishte kohë që një grup vajzash të moshave të ndryshme tërhiqnin klientë të shumtë për të bërë seks në këmbim të shumave që varionin nga 40 deri në 100 euro. Të rejat mundësonin vetë gjetjen e klientëve dhe më pas i dërgonin ata në "rezidencën" e tyre për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt parave.
Ndërkohë, për administratorin e hotelit, Alfred Bakia, dyshohet se kishte rënë në ujdi me vajzat, që të lejonte disa dhoma ku ato të kryenin seks me pagesë, ndërsa një pjesë të parave t‘i merrte ai. Antitrafikët e policisë së Tiranë, në rrugë operative kishin siguruar informacione për aktivitetin që kryhej në hotel, ndaj dhe nisën menjëherë hetimet, duke çuar aty agjentë të tyre të cilët shtireshin si klientë. Pasi kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë hotelin dhe lëvizjet e vajzave, policia ka ndërhyrë natën e parmbrëmshme, duke mundësuar kapjen e dy prej vajzave të tyre në flagrancë me klientë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›