Thellohet kriza, Bode planifikon shkurtime të reja në buxhetin e shtetit
Tiranë- Ministria e Financave ka planifikuar planin e ri të shkurtimeve në buxhetin e shtetit duke reflektuar kështu thellimin e krizës ekonomike në vendin tonë.
Gazeta Shqip duke ju referuar një dokumenti që ka siguruar raporton sot se të dhënat e 7-mujorit për buxhetin nuk ishin ato që priteshin dhe masa për shkurtim të benefiteve të punonjësve shtetëtore do të merren.
Mësohet se 28 gushti ka qënë data e hartimit të këtij pr/vendimi teksa zbatimi pritet të nisë që më datën 7 shtator. Kjo është hera e dytë brenda 2012-ës që zoti Bode kërkon të ndërhyhet në buxhet për të stabilizuar arkën e shtetit, në Mars u kufizua plani i investimeve për shkak të mungesës të të ardhurave nga mbledhja e taksave.
Duke nisur nga data 7 shtator 2012, botimi i çdolloj njoftimi (tenderi), përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet operative, të njësive të qeverisjes qendrore, bëhet vetëm me leje të ministrit të Financave dhe duhet të tregojë detyrimisht burimin e financimit,- thuhet në pikën e parë të projektvendimit, i cili me shumë gjasa duhet të jetë miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave, siç raporton sot “Shqip”.
“Financat përjashtojnë nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi. Shpenzimet operative janë një zë i rëndësishëm në buxhet dhe shërben për blerjen e shërbimeve të ndryshme dhe pajisjeve etj’,-vijon artikulli i të përditshmes.
Sakaq Shqip shkruan se kriza ka hyrë aq thellë sa detyron ministrin të reduktojë kuotat e bisedave telefonike, me të paktën 20 për qind. Një vendim i tillë është marrë për herë të parë vitin e kaluar, në korrik, nga ku shumë specialistë dhe shefa të administratës u katandisën me 2 mijë lekë kuotë telefonike në muaj.
Siç duket Ministria e Financave nuk ka kursyer as dietat, shpërblimet, udhëtimet dhe trajnimet. Shpenzimet për udhëtimet dhe dieta jashtë vendit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të reduktohen duke përfshirë vetëm udhëtimet e rëndësisë së veçantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish, në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve duhet të merret miratimi i ministrit apo titullit të institucionit, ndërsa në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave”,-thuhet në pikën 6.
‘Ministria e Financave ka bllokuar edhe trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet e buxhetit të 2012-s. E thënë ndryshe, kush kishte bërë plan për seminar jashtë vendit me paret e buxhetit, ta harrojë, pasi Bode e ka anuluar.
Shkurtimet nuk mbeten deri këtu, por shtrihen edhe në zëra të tjerë. Çdo institucion ka një fond të veçantë, sa 5 për qind e fondit të pagave, i cili shërben për shpërblime ndaj punonjësve me performancë pozitive, për raste gëzimesh apo hidhërimesh, (lindjeje, vdekje, aksidente, etj). Ky fond, i cili shërben edhe për aktivitete kulturore, nuk do të përdoret deri më datë 5 dhjetor.
Ministria vendos dhe një kriter të ri. Fondet buxhetore të papërdorura deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet, seminaret apo dhe kurset (përfshi këtu edhe trajnimet e ITAP) brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, do të reduktohen në masën 50 për qind, thotë ministria’,- përfundon “Shqip” artikullin e saj.
/IDEA/