E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet kriza në Greqi, qytetarët nisin të tërheqin paratë nga bankat



Ervin KOÇI

Katër nga bankat më të mëdha të Greqisë i kanë kërkuar ndihmën e qeverisë duke shkaktuar frikë mes investitorëve dhe duke e zhytur vendin më thellë në krizë. Aksionet e bankave më të mëdha greke humbën 6 deri 7 për qind të vlerës, pasi grekët e pasur kanë tërhequr paratë dhe i kanë investuar në llogari bankare në bankat në Qipro dhe Luksemburg. Kështu shkruan “Financial Times”, duke bërë të ditur se "kursimtarët" kanë tërhequr prej katër bankave më të mëdha greke rreth 10 miliardë euro depozita. Për dy muajt e shkuar nga llogaritë e qytetarëve janë ngritur thuajse pesë për qind e masës së përgjithshme të investimeve të kursyera në Greqi, shkruan gazeta. “Financial Times“ gjithashtu shton se në mesin e grekëve të pasur sundon një histeri, pasi kanë frikë që paratë dhe pasuritë t`i ruajnë në vend. Situata kritike është pranuar edhe nga ministri grek i Financave, Jorgo Papakonstantinu, i cili tha se bankat kishin kërkuar fonde emergjence prej miliarda dollarësh thjesht si një masë parandaluese. Ndërkohë vetë bankat kanë njoftuar se kishin humbur një numër të madh klientësh në dy muajt e fundit.

Bankat
Sipas të dhënave, rezulton se katër bankat greke i kanë kërkuar shtetit një ndihmë prej të paktën 15 miliardë eurosh, e cila do të jetë si garanci shtetërore, pasi vetëm gjatë këtyre muajve të fundit qytetarët grekë kanë tërhequr nga bankat e tyre dhe kanë depozituar në Qipro dhe në Luksemburg rreth 10 miliardë euro ose rreth 4.5 për qind të totalit të depozitave. Sipas ministrit të Financave, Papakonstantinu, bankat greke kanë vendosur të përdorin fondet e mbetura nga paketa speciale e ndihmës, duke iu referuar kështu planit prej 28 miliardë eurosh, nga të cilat janë ende në dispozicion 17 milionë euro. Megjithatë, kërkesa e tyre për ndihmë i shqetësoi investitorët, të cilët shitën aksione të këtyre bankave dhe kjo shkaktoi rritjen e kostos së huas për këtë vend të përfshirë nga problemet financiare.

Plani i ndihmës
Greqia po zbaton një plan shkurtimesh për të ulur deficitin buxhetor dhe po përpiqet të gjejë fonde për të paguar këstet e kredive që kapin 70 miliardë dollarë. Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ndodhen në Greqi ku po këshillojnë zyrtarët e financave se si të venë në zbatim disa nga reformat e vështira. Fakti për situatën e rënduar që po kalojnë bankat greke, të cilat kanë edhe filialet e tyre në Shqipëri konfirmohet edhe një raport i ditëve të fundit të “Citigroup”, i cili flet për 11 miliardë euro humbje për katër banka greke. Raporti në fjalë analizon pikërisht gjendjen e bankave, që rezultuan me një rënie të ndjeshme në bursa. Kështu, u shënua një rritje e mëtejshme prej 60 miliardë eurosh nga humbjet që kërcënojnë 17 prej bankave perëndimore huadhënëse. Në vendin e gjashtë, e llogaritur ndër këto humbje, ose 10.871 miliardë euro, përfshihen të paktën tre banka greke që janë “Banka Kombëtare Greke”, “Eurobank”, “Pireus Bank”, që kanë dhënë kredi për 67 miliardë euro në vendet e Ballkanit. Kjo shumë është e barabartë me 27 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Greqisë. Ndërkohë nga analistët dhe bankierët grekë këto shifra konsiderohen si një nga rreziqet më të mëdha të tregut.

Kriza ekonomike, rritet pasiguria e jetës nga krimi në Greqi

Gjendja e pasigurisë në Greqi duket se po shtohet jo vetëm në aspektin ekonomik, por tashmë edhe në atë të qetësisë dhe rendit publik. Të dhënat e policisë vendase bëjnë me dijeni se kohët e fundit në Athinë dhe qytete të mëdha greke, si Selaniku, është rritur ndjeshëm indeksi i krimeve, ku brenda 2 ditëve u shënuan rreth 50 vjedhje dhe grabitje me armë. Ndërsa vitin e kaluar, janë shënuar 199 vjedhje dhe hapje banesash në ditë, pra një në çdo shtatë minuta dhe 13 grabitje me armë, ose 1 në çdo dy orë, që në jo pak raste patën edhe viktima. Nga ana tjetër BE-ja dhe FMN-ja ka propozuar një paketë me vlerë 22 miliardë euro për Greqinë, por qeveria greke e ka bërë të qartë se nuk do ta kërkojë këtë paketë për momentin. Gjithë se si protestat e punëtorëve kundër masave të qeverisë vazhdojnë.

Shkurt///////////////////////////
INSTAT: Inflacioni për muajin marsh ishte 3.9%

Në Shqipëri inflacioni në mars ishte në kuotat e 3.9 për qind duke shënuar kështu një ulje në krahasim me muajin shkurt kur ai regjistroi një kërcim të madh duke u fiksuar në kuotat e 4.4 për qind. Megjithatë krahasuar me një vit më parë inflacioni është rritur me 2.3 për qind. Sipas të dhënave të Institutit të statistikave u regjistrua ulje në grupin "Veshje dhe këpucë" me 0.5 për qind, ndërsa rritje pati në grupin e mallrave "Pije alkoolike dhe Duhan", si dhe në grupin e dytë të Transportit ku ka vazhduar shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve: naftës me 1.4 për qind dhe benzinës me 3.2 për qind. Po ashtu edhe grupi "Qira, lënde djegëse dhe ujë" pësoi një rritje të lehtë e ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi me 25 për qind i çmimit të ujit. Me kuotën prej 3.9 për qind, inflacioni kthehet brenda kufirit 2-4 për qind të përcaktuar si objektiv nga Banka e Shqipërisë. Ky institucion edhe më parë kish deklaruar se prirjet inflacioniste parashikohet të jene në rënie, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit.

Filloi ndërtimi i gazsjellësit “Rryma e Veriut”

Dje në qytetin rus Viborg filluan punimet për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma e Veriut”, i cili do ta transportojë gazin nga Rusia nëpër Detin Baltik e më pas në Gjermani. Gazsjellësi nëpër të cilin do të kalojnë 55 miliardë metra kub gaz në vit, do të jetë i gjatë më shumë se 1200 km dhe pritet të përfundojë në vitin 2012 një pjesë të madhe të Europës. Rryma e Veriut i sjell Gjermanisë dhe Bashkimit Europian një siguri më të madhe në furnizimin me energji. Duke folur në ceremoninë me rastin e fillimit zyrtar të punimeve në gazsjellësin “Rryma e Veriut”, në qytetin rus, Viborg, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, tha se “për të parën herë do të sigurohet furnizim i drejtpërdrejtë i Evropës Perëndimore me gazin rus, duke iu shmangur territoreve transitore”.

OECD: 700 milionë euro investime në Shqipëri

Investimet e huaja në Shqipëri vitin e kaluar arritën në rreth 700 milionë euro. Të dhënat janë bërë të ditura nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila dje publikoi raportin për investimet e huaja në disa vende të rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Në raportin e Indeksit të Reformave të Investimeve 2010 analizohet klima e investimeve të huaja në 10 ekonomitë e rajonit. Sipas të dhënave zyrtare në fund të vitit 2009, fluksi i investimeve të huaja në vendin tonë arriti në 700 milionë euro.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›